Connect with us

Aktualitet

SPAK bën shpalljen publike: Kush mund të aplikojë për t’u bërë pjesë e FBI-së shqiptare

Ditën e sotme Byroja Kombëtare e Hetimit ka shpallur procedurën e konkurrimit të hapur për 40 vende vakante, në profilin e përgjithshëm të hetuesit. Ndërsa bëhet me dije se afati i palikimeve nis nga dita e sotme, momenti kur njoftimi është bërë publik dhe zgjat deri më 14.09.2026, në orën 16:00.

Nga ana e institucionit bëhet me dije se të gjithë personat që kanë interes për apliakuar për këtë pozicion, duhet plotësojë njëkohësisht kriteret e renditura më poshtë:

a) të jetë shtetas shqiptar;

b) të ketë arsim të lartë policor, drejtësi, kontabilitet ose arsim të lartë në degë të tjera që lidhen me misionin e BKH-së, nga një universitet vendas ose i huaj; për diplomat e huaja paraqitet njohja/njësimi sipas legjislacionit në fuqi;

c) të ketë më shumë se 1 (një) vit përvojë pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhet me qëllimin e BKH-së;

ç) të plotësojë kushtet e integritetit, sigurisë, pasurisë dhe figurës të parashikuara nga ligji nr. 95/2016;

d) të mos ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë ose ndalimit ligjor për emërim;

dh) të kalojë me sukses të gjitha fazat e përzgjedhjes, kontrollin mjekësor, vlerësimin psikologjik dhe trajnimin bazë.

Po ashtu bëhet me dije se të gjithë aplikantët duhet të njihen paraprakisht me kushtet e mëposhtme dhe të dakordësohet me to, të tilla si:

-Punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas përfundimit të trajnimit të nevojshëm dhe emërimit në detyrë, shërben për një periudhë jo më pak se 7 (shtatë) vjet pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, me përjashtim të rasteve të shkarkimit sipas nenit 41 të ligjit nr. 95/2016.

-Përpara emërimit, kandidati nënshkruan deklaratat përkatëse me shkrim për heqjen dorë nga pritshmëria për jetë private në telekomunikimet vetjake dhe në të dhënat financiare, sipas shtojcave B1 dhe B2 të ligjit nr. 95/2016. Deklaratën përkatëse, sipas shtojcës B3 të këtij ligji, e nënshkruajnë edhe anëtarët e afërt të familjes. Llogaritë financiare dhe telekomunikimet vetjake i nënshtrohen kontrollit periodik, në përputhje me kreun VIII të ligjit nr. 95/2016.

-Pas emërimit, hetuesi pajiset me telefon celular, numër telefoni dhe adresë poste elektronike zyrtare dhe përdor vetëm këto mjete komunikimi elektronik, sipas nenit 48 të ligjit nr. 95/2016.

-Hetuesi duhet të marrë notë kaluese në testin konjitiv, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik dhe në testimin e aftësive fizike, si parakusht për rinovimin e emërimit çdo dy vjet, si dhe jep pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit rreth integritetit çdo dy vjet, sipas nenit 38, pika 6, të ligjit nr. 95/2016.

-Hetuesi është subjekt i detyrimit për deklarimin dhe kontrollin periodik vjetor të pasurisë, të detyrimeve financiare dhe të interesave privatë, në përputhje me ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, si dhe me nenin 6 të ligjit nr. 95/2016.

– Paga e hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit përbëhet nga paga bazë, e barabartë me 60 për qind të pagës bruto fillestare të prokurorit pranë Prokurorisë së Posaçme, nga shtesa për vjetërsi në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim, dhe nga shtesa për vështirësi pune në masën 70 për qind të pagës bruto fillestare të prokurorit pranë Prokurorisë së Posaçme. Hetuesi përfiton të njëjtin trajtim që përfitojnë punonjësit e Policisë së Shtetit, sipas nenit 40/1 të ligjit nr. 95/2016 dhe legjislacionit në fuqi.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Në mbështetje të neneve 5, 37 dhe 38 të ligjit nr. 95/2016, datë 6.10.2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, të ndryshuar; të Kodit të Procedurave Administrative; të Urdhrit të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të hetimit nr. 630, datë 14.08.2026, “Për hapjen e procedurës së konkurrimit për rekrutimin e 40 (dyzet) hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, bazuar në rregulloren për “Rekrutimin e Hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit” (kliko këtu), miratuar me Urdhrin Nr.27936, datë 10.08.2026 të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Urdhrin nr. 626, datë 10.08.2026, të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit;

Byroja Kombëtare e Hetimit shpall procedurën e konkurrimit të hapur për 40 (dyzet) vende vakante, në profilin e përgjithshëm të hetuesit. Procedura është e hapur, transparente, konkurruese dhe e bazuar në meritë, integritet, aftësi profesionale, aftësi fizike, aftësi komunikimi dhe standarde të larta etike.

1. POZICIONI DHE STATUSI

Titulli i pozicionit: Hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Numri i vendeve vakante: 40 (dyzet).

Profili i konkurrimit: Profil i përgjithshëm i hetuesit.

Vendi i ushtrimit të detyrës: Selia e BKH-së në Tiranë dhe, sipas nevojave të hetimit, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Kur është e nevojshme dhe e autorizuar sipas ligjit, hetuesi mund të marrë pjesë në veprimtari, takime, trajnime ose veprime të tjera në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Hetuesi i BKH-së ka statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore. Emërimi bëhet nga Drejtori i BKH-së, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, vetëm pas përfundimit me sukses të gjitha fazave të përzgjedhjes dhe trajnimit.

2. KUSHTET E POSAÇME TË STATUSIT DHE TRAJTIMI FINANCIAR

Pozicioni i hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit i nënshtrohet një regjimi të posaçëm ligjor, i cili buron nga natyra e detyrës dhe nga kërkesa për besim të veçantë publik. Aplikanti duhet të njihet paraprakisht me kushtet e mëposhtme dhe të jetë i gatshëm t’i pranojë ato:

Punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas përfundimit të trajnimit të nevojshëm dhe emërimit në detyrë, shërben për një periudhë jo më pak se 7 (shtatë) vjet pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, me përjashtim të rasteve të shkarkimit sipas nenit 41 të ligjit nr. 95/2016.

Përpara emërimit, kandidati nënshkruan deklaratat përkatëse me shkrim për heqjen dorë nga pritshmëria për jetë private në telekomunikimet vetjake dhe në të dhënat financiare, sipas shtojcave B1 dhe B2 të ligjit nr. 95/2016. Deklaratën përkatëse, sipas shtojcës B3 të këtij ligji, e nënshkruajnë edhe anëtarët e afërt të familjes. Llogaritë financiare dhe telekomunikimet vetjake i nënshtrohen kontrollit periodik, në përputhje me kreun VIII të ligjit nr. 95/2016.

Pas emërimit, hetuesi pajiset me telefon celular, numër telefoni dhe adresë poste elektronike zyrtare dhe përdor vetëm këto mjete komunikimi elektronik, sipas nenit 48 të ligjit nr. 95/2016.

Hetuesi duhet të marrë notë kaluese në testin konjitiv, të sjelljes dhe të arsyetimit logjik dhe në testimin e aftësive fizike, si parakusht për rinovimin e emërimit çdo dy vjet, si dhe jep pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit rreth integritetit çdo dy vjet, sipas nenit 38, pika 6, të ligjit nr. 95/2016.

Hetuesi është subjekt i detyrimit për deklarimin dhe kontrollin periodik vjetor të pasurisë, të detyrimeve financiare dhe të interesave privatë, në përputhje me ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, të ndryshuar, si dhe me nenin 6 të ligjit nr. 95/2016.

Paga e hetuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit përbëhet nga paga bazë, e barabartë me 60 për qind të pagës bruto fillestare të prokurorit pranë Prokurorisë së Posaçme, nga shtesa për vjetërsi në masën 2 për qind të pagës referuese bazë për çdo vit shërbimi në funksion, por jo më shumë se 25 vjet shërbim, dhe nga shtesa për vështirësi pune në masën 70 për qind të pagës bruto fillestare të prokurorit pranë Prokurorisë së Posaçme. Hetuesi përfiton të njëjtin trajtim që përfitojnë punonjësit e Policisë së Shtetit, sipas nenit 40/1 të ligjit nr. 95/2016 dhe legjislacionit në fuqi.

Me paraqitjen e aplikimit, aplikanti deklaron se është njohur me kushtet e mësipërme dhe se i pranon ato.

3.PËRSHKRIMI I PËRGJITHSHËM I PUNËS

Hetuesi i BKH-së, sipas caktimit në strukturën përkatëse dhe nën drejtimin e prokurorit të posaçëm, kryen ose mbështet kryerjen e hetimeve penale për veprat penale në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme. Detyrat përfshijnë, sipas rastit:

zbatimin e urdhrave, delegimeve dhe udhëzimeve të ligjshme të prokurorit të posaçëm dhe dokumentimin e veprimeve të kryera;

mbledhjen, verifikimin, analizimin, administrimin dhe dokumentimin e fakteve, indicieve dhe provave, duke respektuar Kodin e Procedurës Penale dhe zinxhirin e ruajtjes së provës;

kryerjen, brenda kompetencave dhe autorizimeve ligjore, të veprimeve të policisë gjyqësore, përfshirë kërkime, këqyrje, sekuestrime, marrje deklarimesh, ekzekutim urdhrash, kontrolle ambientesh, ndalime/arrestime dhe veprime të tjera hetimore;

hartimin e raporteve, procesverbaleve, analizave, planeve të veprimit dhe materialeve të tjera profesionale për nevojat e hetimit;

identifikimin dhe analizimin e lidhjeve ndërmjet personave, ngjarjeve, transaksioneve, komunikimeve, pasurive dhe të dhënave të tjera relevante;

bashkëpunimin me prokurorët e posaçëm, hetuesit, oficerët e shërbimeve të Policisë Gjyqësore, ekspertët dhe institucionet vendase ose të huaja të zbatimit të ligjit;

përdorimin e sistemeve elektronike, bazave të të dhënave dhe mjeteve teknike të autorizuara për kërkimin, analizën dhe administrimin e informacionit;

ruajtjen e sekretit hetimor, informacionit të klasifikuar, të dhënave personale dhe konfidencialitetit të çdo informacioni të administruar për shkak të detyrës;

pjesëmarrjen në trajnime, operacione dhe veprimtari hetimore brenda ose jashtë orarit zyrtar, kur kjo kërkohet nga nevojat e çështjes dhe parashikohet nga ligji.

4. FUSHAT PROFESIONALE ME INTERES PËR BKH-NË

BKH ka interes veçanërisht për kandidatë që kanë përvojë të provueshme në një ose disa nga fushat e mëposhtme. Këto fusha nuk përbëjnë profile të veçanta, nuk janë kritere të veçanta skualifikuese, nuk pikëzohen veçmas dhe nuk krijojnë lista të veçanta renditjeje:

Hetimi penal dhe veprimtaria operacionale: përvojë në policinë gjyqësore, hetime penale, mbledhje dhe dokumentim prove, hetime proaktive, vëzhgim, ndjekje, përdorim të metodave të posaçme të hetimit, planifikim dhe zhvillim operacionesh, siguri operacionale ose menaxhim incidentesh.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar: përvojë në hetimin ose analizën e korrupsionit, krimit të organizuar, trafikimeve, veprave penale të rënda, veprimtarive kriminale ndërkufitare, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit ose formave të tjera të kriminalitetit kompleks.

Hetimi financiar dhe pasuror: përvojë në financë, kontabilitet, auditim, tatime, dogana, banka, prokurim publik, analizë transaksionesh, gjurmim asetesh, sekuestrim dhe konfiskim të produkteve të veprës penale.

Krimi kibernetik dhe provat digjitale: përvojë në teknologji informacioni, siguri kibernetike, administrim sistemesh dhe rrjetesh, ekspertimin e provave digjitale, analiza të pajisjeve ose të dhënave elektronike, incidente kibernetike, krime të kryera nëpërmjet sistemeve kompjuterike ose ruajtje të provës digjitale.

Telekomunikacioni dhe sistemet teknike: përvojë në telekomunikacion, elektronikë, rrjete komunikimi, sisteme të transmetimit, administrim dhe siguri të infrastrukturës teknike, ose përdorim ligjor të mjeteve teknike në funksion të hetimit.

Analiza e të dhënave dhe inteligjenca kriminale: përvojë në mbledhje, përpunim dhe analizë të sasive të mëdha të të dhënave; analizë lidhjesh, rrjetesh, risku ose modeli; realizimin e analizave statistikore; inteligjencë kriminale; si dhe përdorimin e bazave të të dhënave dhe mjeteve analitike.

Fusha juridike dhe bashkëpunimi ndërinstitucional/ndërkombëtar: përvojë në procese administrative, ligjore, hetimore, audituese, inspektuese ose kontrolluese, që përfshijnë mbledhjen, verifikimin, dhe analizimin e të dhënave, deklarimeve ose dokumentacionit për persona apo subjekte, përdorimin e regjistrave dhe bazave të të dhënave zyrtare, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit ndërinstitucional, identifikimin dhe vlerësimin e rrethanave me rëndësi ligjore, pasurore, sigurie, si dhe hartimin e analizave, relacioneve ose raporteve për mbështetjen e vlerësimit dhe të vendimmarrjes, në funksion të analizimit dhe verifikimit të pastërtisë së figurës, kryerjes së hetimeve administrative për kontrollin pasuror dhe financiar, verifikimit të gjendjes dhe burimit të aseteve financiare e pasurore, hartimit, administrimit dhe trajtimit të informacionit të klasifikuar, si dhe përdorimit profesional të gjuhëve të huaja.

Përvoja në këto fusha deklarohet në formularin e aplikimit dhe, kur deklarohet, provohet me vërtetime pune, përshkrime detyre, dokumente institucionale, certifikime, dëshmi trajnimi ose dokumente të tjera zyrtare. Përvoja në një fushë të caktuar nuk garanton caktimin e mëvonshëm në një sektor ose seksion të caktuar të BKH-së.

5.KRITERET E PËRGJITHSHME TË APLIKIMIT

Aplikanti duhet të plotësojë njëkohësisht kriteret e mëposhtme:

a) të jetë shtetas shqiptar;

b) të ketë arsim të lartë policor, drejtësi, kontabilitet ose arsim të lartë në degë të tjera që lidhen me misionin e BKH-së, nga një universitet vendas ose i huaj; për diplomat e huaja paraqitet njohja/njësimi sipas legjislacionit në fuqi;

c) të ketë më shumë se 1 (një) vit përvojë pune në institucionet e zbatimit të ligjit ose në një fushë tjetër që lidhet me qëllimin e BKH-së;

ç) të plotësojë kushtet e integritetit, sigurisë, pasurisë dhe figurës të parashikuara nga ligji nr. 95/2016;

d) të mos ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë ose ndalimit ligjor për emërim;

dh) të kalojë me sukses të gjitha fazat e përzgjedhjes, kontrollin mjekësor, vlerësimin psikologjik dhe trajnimin bazë.

6. DOKUMENTACIONI FILLESTAR I APLIKIMIT

Brenda afatit të aplikimit, dokumentacioni fillestar i mëposhtëm dërgohet në mënyrë elektronike, në adresën e postës elektronike bkh.aplikim@spak.gov.al, e skanuar në format PDF, si dhe dërgohet në kopje fizike me postë, sipas përcaktimeve të pikës 8-të kësaj shpalljeje:

formulari elektronik/online i aplikimit; (kliko për të shkarkuar formularin)

Jetëshkrimi (curriculum vitae) në gjuhën shqipe dhe angleze;

deklarata/letra e motivimit në gjuhën shqipe dhe angleze; (jo më shumë se një faqe format A4)

kopje e dokumentit të identifikimit;

fotokopje të noterizuar të diplomës dhe listës së notave ose dokumente të barasvlershme; për diplomat e huaja, dokumenti i njohjes/njësimit, kur kërkohet;

dokumentet që provojnë përvojën e punës, përfshirë librezën e punës ose dokumente të tjera zyrtare;

dokumentet që provojnë përvojën, aftësitë ose kualifikimet në fushat profesionale me interes për BKH-në, kur aplikanti i deklaron ato;

vërtetimi për gjendjen gjyqësore ose autorizimi për verifikimin e saj;

vërtetim nga gjykata dhe prokuroria e juridiksionit të përgjithshëm që vërteton se kandidati është ose jo në ndjekje penale dhe/ose person nën hetim;

vërtetimi për masat disiplinore në fuqi, kur aplikanti është ose ka qenë pjesë e institucioneve publike;

vetëdeklarimi sipas legjislacionit për garantimin e integritetit të personave që ushtrojnë funksione publike; (kliko këtu për të shkarkuar formularin e vetëdeklarimit)

deklarata për mungesën e konfliktit të interesit pjesë përbërëse e formularit të aplikimit;

deklaratat, autorizimet dhe pëlqimet, në përputhje me parashikimet e Aneksit A dhe Shtojcave B2, B3 dhe C të ligjit nr. 95/2016, sipas formularëve të publikuar në faqen zyrtare online të SPAK-ut; (kliko për të shkarkuar formularët).

çdo dokument tjetër të shënuar në formularin zyrtar të aplikimit;

Dokumentet duhet të jenë të lexueshme, të plota dhe të nënshkruara në çdo faqe nga aplikanti. Komisioni mund të kërkojë, në fazat pasuese, paraqitjen e dokumenteve origjinale, të kopjeve të njësuara me origjinalin ose përditësimin e dokumentacionit

7. DOKUMENTACIONI DHE KONTROLLET NË FAZAT PASUESE

Kandidatëve që arrijnë në fazën përkatëse u kërkohet plotësimi, përditësimi dhe dokumentacioni mbështetës për verifikimin e pasurisë, figurës dhe kushteve të sigurisë, si dhe dokumentacioni mjekësor e psikologjik. Kandidatët duhet të bashkëpunojnë, të japin pëlqimet dhe autorizimet ligjore dhe të paraqesin të dhëna të plota e të vërteta.

8. MËNYRA DHE AFATI I APLIKIMIT

Formulari aplikimit dhe dokumentacioni fillestar dërgohet elektronikisht të skanuara në format PDF, në adresën e postës elektronike bkh.aplikim@spak.gov.al. Të njëjtat dokumente dërgohet edhe me postë në adresën: “Byroja Kombëtare e Hetimit, rruga Jordan Misja, nr. 1, Tiranë”. Në zarf shënohen emri i aplikantit dhe shënimi “Aplikim për pozicionin Hetues i BKH-së.

Afati i aplikimit: nga data e publikimit deri më 14.09.2026, ora 16:00.

Aplikimi konsiderohet në afat kur dokumentacioni elektronik është marrë dhe kopja fizike është dorëzuar në shërbimin postar brenda afatit, sipas vulës ose dokumentit të pranimit postar. Vonesa e mbërritjes së postës nuk cenon vlefshmërinë e aplikimit kur dërgimi në afat provohet rregullisht.

9. FAZAT E KONKURRIMIT DHE PIKËZIMI

Pas verifikimit paraprak, procedura vijon me testin konjitiv, testimin fizik, testin e zgjeruar me shkrim, intervistën, renditjen paraprake, poligrafin, verifikimin e pasurisë, figurës dhe sigurisë, kontrollin mjekësor e psikologjik, renditjen përfundimtare, trajnimin dhe emërimin.

Kalimi në fazën pasardhëse kërkon përmbushjen e pragut minimal dhe kushteve të fazës paraardhëse. Marrja e 0 (zero) pikëve në njërin nga komponentët e testit fizik sjell skualifikimin.

Poligrafi, verifikimi i pasurisë, figurës dhe sigurisë, kontrolli mjekësor e psikologjik dhe trajnimi nuk pikëzohen, por janë të detyrueshme.

Standardet fizike përcaktohen në rregullore dhe në Shtojcën nr. 5, të aksesueshme në faqen zyrtare të internetit të SPAK.

10. NJOFTIMI DHE PUBLIKIMI

Njoftimet individuale dërgohen në adresën elektronike të deklaruar në aplikim. Listat dhe rezultatet që mund të bëhen publike, publikohen në faqen zyrtare të SPAK-ut vetëm me kodin e aplikantit/kandidatit. Aplikanti është përgjegjës për kontrollin e rregullt të adresës elektronike dhe të njoftimeve zyrtare.

11. MBROJTJA E TË DHËNAVE DHE DEKLARIMI I VËRTETËSISË

Të dhënat personale përpunohen vetëm për qëllimet e procedurës së rekrutimit dhe aksesohen vetëm nga personat me kompetencë ose nevojë funksionale. Të dhënat për pasurinë, figurën, poligrafin, shëndetin dhe vlerësimin psikologjik trajtohen në mënyrë konfidenciale, sipas legjislacionit në fuqi.

Me paraqitjen e aplikimit, aplikanti deklaron se të dhënat dhe dokumentet janë të plota e të vërteta, pranon verifikimin e tyre sipas ligjit dhe merr përsipër të njoftojë çdo ndryshim që mund të ndikojë në plotësimin e kritereve.

12. INFORMACION DHE KONTAKTE

Pyetjet dhe kërkesa për sqarime lidhur me procedurat e aplikimit mund të dërgohen në: bkh.aplikim@spak.gov.al.

Përgjigjet me interes të përgjithshëm mund të publikohen në faqen zyrtare pa identifikuar personin që ka paraqitur pyetjen. Nuk jepen këshilla individuale për përmbushjen e kritereve dhe nuk pranohen dokumente jashtë mënyrës së përcaktuar në këtë shpallje.

Advertisement