Shkrime
IDIOTET ME TELEFONA/ NËN SHPUTAT E TYRE TË ARTA, GJEMBAT E HIDHUR TE NDESHKIMIT
Telefonat celularë, luks i pajustifikueshëm, prona, udhëtime dhe komunikime që kthehen në prova. Për gazetarin Lorenc Vangjeli, një nga paradokset më të mëdha të dosjeve të SPAK-ut është fakti se shumë prej personazheve nën hetim kanë lënë pas gjurmë që, sipas tij, mund t’i përdorin vetë hetuesit kundër tyre.
Në analizën e tij me titullin “O Zot, janë vërtet kaq budallenj?”, Vangjeli shkruan se, pavarësisht ndryshimeve mes dosjeve të SPAK-ut, ekziston një element që përsëritet: gjurmët e lëna nga vetë personat nën akuzë.
Sipas tij, telefonat celularë janë kthyer në një prej burimeve kryesore të provave, ndërsa në disa raste në dosje shfaqen edhe prona, mënyra e jetesës, udhëtime dhe shpenzime që autori i konsideron të vështira për t’u justifikuar me burime të ligjshme.
Vangjeli përmend disa prej çështjeve të bujshme të viteve të fundit, duke nisur nga ish-zëvendëskryeministrja, ku sipas tij të dhënat e telefonatave të një vartësi u kthyen në material për hetimin.
Ai kujton gjithashtu rastin e Ilir Metës dhe telefonat e sekuestruar, si dhe çështjen e Erion Veliajt, duke argumentuar se gjurmët dixhitale dhe blerjet online mund të kenë një rol të rëndësishëm në hetimet financiare.
Por analiza e tij shkon edhe te mënyra e jetesës.
“Ora, bizhu, udhëtime ekzotike, dashuri të shtrenjta e të fshehta, veshje e sjellje tipike prej atyre që rëndom quhen ‘Nouveau riche’”, shkruan Vangjeli, duke e përshkruar këtë si një pjesë të identitetit të asaj që ai e quan “aristokracia e re” shqiptare.
Në një tjetër pjesë të shkrimit, autori rikthehet te resortet luksoze dhe pretendon se disa pronarë vilash, edhe pasi hetuesit e BKH-së ishin vendosur në zonë, vijuan të qëndronin aty duke përdorur kontrata qiraje që, sipas tij, nuk pasqyronin pronësinë reale.
Por pjesën më të fortë të analizës Vangjeli e lidh me komunikimet telefonike.
Ai citon një shprehje: “Nëse nuk di të fshehësh, mos vidh!”, dhe thotë se personat me pushtet e kanë kthyer përmbys këtë logjikë, duke e zëvendësuar me idenë se nuk mjafton të kesh pasuri, por duhet edhe ta shfaqësh atë.
Në këtë kontekst, Vangjeli përmend edhe përgjimet e publikuara nga Arben Ahmetaj dhe komunikime të tjera që, sipas tij, mund të nxjerrin në pah mënyrën se si funksiononin marrëdhëniet mes politikës, biznesit dhe administratës.
“Ish-drejtuesja e SHISH dhe Agasi e shënuan së fundmi emrin e tyre në këtë listë marrëzie”, shkruan autori.
Vangjeli ndalet te komunikimet mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit dhe ngre pyetjen se si mund të vazhdonin këto kontakte edhe në një periudhë kur, sipas tij, duhej të ekzistonte vetëdija se komunikimet mund të ishin objekt hetimi.
Në analizë, gazetari e zgjeron argumentin edhe te bota kriminale, duke theksuar se komunikimet e kriptuara të grupeve kriminale janë kthyer në burim të rëndësishëm për hetuesit. Sipas tij, në këto komunikime janë diskutuar tema nga vrasjet dhe droga deri te politika, votat, pronat dhe paratë.
Në fund, Vangjeli e lë analizën me një pyetje provokuese:
“Janë vërtet kaq budallenj të gjithë, janë naivë e të marrë apo kanë qenë thjesht të sigurt se nën shputat e tyre të arta, nuk do të aviteshin kurrë gjembat e hidhur të ndëshkimit?”
Dhe përgjigjen e tij e formulon në mënyrë ironike: “Ju leverdis më mirë të vetëquhen idiotë!”