Aktualitet
TIRANA NË FOKUSIN E EUROPËS/ RAMA DHE SCHIEDER NË KONFERENCËN PËR ZGJERIMIN E BE
Shqipëria vendos sot në qendër të debatit europian procesin e integrimit dhe zgjerimin e Bashkimit Europian.
Në Tiranë zhvillohet Konferenca Ndërparlamentare me fokus “Agjendën strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve europiane.
Në konferencë do të jetë i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, i cili do të mbajë fjalën përshëndetëse.
Në fokus të diskutimeve do të jenë reformat, zgjerimi i Bashkimit Europian, stabiliteti dhe siguria, por mbi të gjitha hapat që Shqipëria duhet të ndërmarrë në rrugën drejt anëtarësimit.
Aktiviteti do të përshëndetet gjithashtu nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, si dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder.
Konferenca do të ndahet në tre sesione.
I pari do të fokusohet te agjenda e zgjerimit dhe rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Sesioni i dytë do të trajtojë zgjerimin si faktor strategjik për reformat, stabilitetin dhe sigurinë europiane.
Ndërsa diskutimi i tretë do të vendosë në qendër rolin e parlamenteve dhe angazhimin politik për avancimin e integrimit europian.
Konferenca vjen në një moment kur procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian është rikthyer në qendër të agjendës europiane, ndërsa Shqipëria vijon negociatat për anëtarësim.
Takimi në Tiranë pritet të shërbejë edhe si një platformë për të diskutuar sfidat e reformave dhe përgjegjësitë që shoqërojnë avancimin e procesit të integrimit.
Konferenca do të moderohet nga Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, së bashku me përfaqësues të parlamenteve të vendeve pjesëmarrëse.
Tirana sot bëhet kështu arena e një debati politik europian: zgjerimi i BE-së, reformat dhe rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit.