✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Rama sulmon protestuesit para parlamentarëve të BE-së: Jeni argëtuar me flamingot, në Instagram duken më të bukur

Kryeministri Edi Rama iu rikthye protestës qytetare gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën Ndërparlamentare me përfaqësues të Bashkimit Evropian, të zhvilluar këtë të hënë në Tiranë.

Rama përdori ironi lidhur me “flamingot”, ndërsa më tej foli për zhvillimet në vend, shqetësimet e qytetarëve dhe raportin e shqiptarëve me Bashkimin Evropian.

Duke iu drejtuar parlamentarëve evropianë, kreu i qeverisë tha se ata duhet të jenë “argëtuar” gjatë ditëve të fundit me pamjet e flamingove të shpërndara në rrjetet sociale.

“Dua thjesht të ndaj me ju disa mendime në lidhje me këtë moment në Shqipëri. Kur flasim për këtë moment, jam i sigurt se jeni argëtuar mjaft kohët e fundit me flamingot, edhe pse jam i bindur se nuk do gjeni aq shumë flamingo dhe nuk do jenë aq të bukur sa i ndajnë kolegët tuaj në Instagram. Është shembulli më i mirë i këtij momenti që po kalojmë”, u shpreh Rama.

Kryeministri vijoi duke bërë një bilanc të zhvillimeve të Shqipërisë gjatë dekadës së fundit. Sipas tij, vendi ka kaluar nga një periudhë pesimizmi në një fazë ku pritshmëritë e qytetarëve për të ardhmen janë më pozitive.

“Mendoj se Shqipëria ka bërë mjaft mirë këtë dekadën e fundit. Ka kaluar nga një epokë ku gjërat mendoheshin se do bëheshin më keq, në një epokë ku njerëzit mendojnë se gjërat do bëhen më mirë. E kanë kuptuar njerëzit se shumë gjëra po lëvizin dhe që ka një zhvillim të dukshëm për këdo”, deklaroi Rama.

Megjithatë, kreu i qeverisë pranoi se qytetarët kanë pikëpyetje dhe shqetësime, të cilat ai i lidhi edhe me pasiguritë që karakterizojnë periudhën aktuale.

Rama foli gjithashtu për ndikimin që, sipas tij, kanë lajmet e pasakta dhe teoritë konspirative në shoqëri, duke argumentuar se ato kanë shtuar presionin social.

“Edhe në këtë aspekt të ankthit, pasigurive, të një shkalle vetmie që bëhet e pranishme në jetët tona dhe hapësirën tonë të demokracisë. Kjo ka çuar në një farë trysnie që vjen nga shumë lajme të pasakta dhe shumë teori konspirative që kanë shtuar, në fakt, barrën e rëndë sociale”, u shpreh kryeministri.

Në pjesën tjetër të fjalës, Rama u ndal te procesi i integrimit evropian dhe mbështetja që Bashkimi Evropian gëzon në Shqipëri. Sipas tij, kjo përbën një avantazh për vendin në raport me disa prej shteteve që tashmë janë pjesë e unionit.

“Nga ana tjetër, krahasuar me vendet e BE-së, kemi një përparësi të madhe ne shqiptarët dhe vetë Shqipëria. Ende e dashurojmë BE-në. Dhe nuk ndodh fiks kështu me vendet tuaja. Ku në vendet tuaja merret si e mirëqenë BE-ja, ne jemi plotësisht të angazhuar, debatojmë shumë gjëra”, deklaroi Rama.

Advertisement