Politike
“MOS NA LINI PËRSËRI NË BALTË”/ Rama mesazh Europës për integrimin e Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama u ndal te perspektiva europiane e Shqipërisë dhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë Konferencës Ndërparlamentare me përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve europiane.
Rama theksoi se, pavarësisht debateve politike brenda vendit, anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet një nga çështjet për të cilat, sipas tij, ekziston dakordësi e gjerë në politikën shqiptare.
Ai u bëri thirrje vendeve europiane që të vijojnë vëmendjen ndaj Ballkanit Perëndimor, duke paralajmëruar se një mospërfshirje e rajonit do të kishte pasoja më të gjera sesa një dështim politik.
“Krahasuar me vendet europiane, ne kemi përparësi, sepse ende ne e dashurojmë BE-në. Nuk ndodh fiks kështu me vendet tuaja, ku më shumë merret si e mirëqenë BE-ja”, deklaroi Rama.
Kryeministri tha se Shqipëria përballet çdo ditë me debate dhe mosmarrëveshje politike, por sipas tij, ekziston një pikë ku palët janë dakord: synimi për të qenë pjesë e Europës.
“Çdo ditë e kemi kapacitetin për të gjetur arsye që të mos jemi dakord me njëri-tjetrin, ama për një gjë kemi rënë dakord, që duam të jemi pjesë e Europës”, u shpreh ai.
Rama iu drejtua gjithashtu vendeve europiane me kërkesën që të mos e lënë pas dore rajonin, duke e lidhur integrimin e Ballkanit Perëndimor me interesat më të gjera të vetë Europës.
“Nëse Europa do të lërë në baltë Ballkanin Perëndimor, nuk do jetë thjesht dështim, por do jetë dështimi më madhor”, tha kryeministri.