Politike
Europa përballë zgjerimit/ Rama: Nëse lihet Ballkani, dështon vetë BE-ja ( E PLOTE)
Një proces anëtarësimi në Bashkimin Europian që u jep vendeve kandidate qasje graduale në mekanizmat e Unionit, në varësi të progresit në reforma, nuk është më vetëm një ide. E propozuar si alternativë nga disa prej vendeve kryesore të BE-së, mes tyre Gjermania dhe Franca, kjo qasje është përfshirë në diskutimet për rishikimin e politikës së zgjerimit.
Në Konferencën Ndërparlamentare të zhvilluar në Tiranë, kryeministri Edi Rama solli në vëmendje modelin e ribashkimit të Gjermanisë dhe rolin e ish-kancelarit Helmut Kohl. Sipas Ramës, Europa duhet të krijojë një mënyrë të re për ta afruar Ballkanin Perëndimor, duke i përfshirë vendet kandidate në tryezën europiane, ndërsa përfitimet konkrete të secilit vend të përcaktohen nga rezultatet dhe merita në procesin e integrimit.
Rama e ilustroi këtë ide edhe përmes një metafore, duke e krahasuar Bashkimin Europian me një tryezë ku të gjitha vendet janë të pranishme, por niveli i përfitimeve dhe përgjegjësive varet nga përmbushja e kritereve. Sipas tij, një kapitull i përfunduar duhet t’i japë vendit përfitime të plota në atë fushë, ndërsa për kapitujt që janë ende në proces, vendi duhet të vazhdojë punën për përmbushjen e standardeve.
Kreu i qeverisë deklaroi gjithashtu se Shqipëria vijon ta shohë anëtarësimin në BE si një objektiv të rëndësishëm dhe se mbështetja për integrimin europian mbetet një nga çështjet ku ekziston konsensus i gjerë në vend. Rama paralajmëroi se një zvarritje e procesit të zgjerimit do të kishte pasoja jo vetëm për vendet kandidate, por edhe për vetë Bashkimin Europian.
“Ne shpresojmë shumë që ju të mos na lini përsëri në baltë”, u shpreh Rama, duke argumentuar se një dështim i procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor do të ishte, sipas tij, edhe një dështim për Europën.
Në të njëjtën konferencë, kreu i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, vlerësoi progresin e Shqipërisë, por theksoi se mbeten detyra të rëndësishme përpara. Në fokus, sipas tij, janë forcimi i pavarësisë së gjyqësorit, rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe garantimi i funksionimit efektiv të institucioneve publike në shërbim të qytetarëve.
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andres Schieder, u shpreh optimist për objektivin e Shqipërisë për anëtarësim brenda kësaj dekade. Ai theksoi se procesi nuk përfundon me hapjen e kapitujve, por kërkon mbylljen e tyre dhe më pas zbatimin konkret të reformave.
Edhe ambasadorja e re e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Moreira de Sousa, vlerësoi ecurinë e Shqipërisë, duke veçuar reformën në drejtësi dhe forcimin e institucioneve të pavarura. Ajo nënvizoi se, sa më pranë anëtarësimit të jetë një vend kandidat, aq më kërkues bëhet procesi, ndërsa miratimi i ligjeve duhet të shoqërohet me zbatimin e tyre në praktikë.
Shqipëria synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit brenda vitit 2027 dhe të bëhet pjesë e Bashkimit Europian brenda kësaj dekade. Për kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, ky mbetet një objektiv strategjik i vendit.