Politike
Bardhi “qahet” te Ambasadorja e re e Holandës: Krimi ka kapur shtetin
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, zhvilloi një takim me ambasadoren e re të Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, ku në fokus ishin zhvillimet politike në vend, reformat dhe procesi i integrimit europian.
Sipas njoftimit të Bardhit, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe vijimin e bashkëpunimit ndërmjet Grupit Parlamentar të PD-së dhe Ambasadës Holandeze në Tiranë. Bardhi shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Holandës ndaj Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke theksuar rëndësinë e meritës dhe zbatimit të reformave.
Në takim, Bardhi paraqiti edhe shqetësimet e opozitës lidhur me situatën politike në vend. Sipas tij, krimi dhe korrupsioni kanë ndikuar në institucionet shtetërore dhe aktualisht nuk ka garanci të mjaftueshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Një tjetër temë e diskutimit ishin Reforma Territoriale dhe Reforma Zgjedhore. Bardhi pretendoi se këto procese po zhvillohen pa konsensus politik dhe pa gjithëpërfshirje, duke kërkuar që dialogu me partnerët ndërkombëtarë dhe bashkëpunimi institucional të vijojnë të jenë pjesë e procesit.
Takimi zhvillohet në një periudhë kur Shqipëria po avancon në procesin e negociatave me Bashkimin Europian. Holanda ka deklaruar mbështetjen e saj për perspektivën europiane të Shqipërisë, ndërsa në marrëdhëniet dypalëshe një nga fushat e rëndësishme të bashkëpunimit është edhe sundimi i ligjit dhe siguria.