Bota
Goditje në politikën hungareze/ Parlamenti i hap rrugë hetimeve, i heq imunitetin kryeministrit
Parlamenti hungarez ka pezulluar imunitetin parlamentar të kryeministrit Péter Magyar dhe dy ish-ministrave të qeverisë së Viktor Orbanit, Balázs Hankó dhe Miklós Seszták, duke i hapur rrugë vijimit të procedurave hetimore ndaj tyre.
Vendimi u mor me 139 vota pro, pa vota kundër apo abstenime. Deputetët e Fidesz dhe KDNP nuk morën pjesë në votim.
Në rastin e kryeministrit Magyar, çështja lidhet me një incident të vitit 2024 në një klub nate në Budapest. Sipas prokurorisë, ai dyshohet se i ka marrë telefonin një personi që po e filmonte dhe më pas e ka hedhur pajisjen në lumin Danub. Magyar e ka kërkuar vetë heqjen e imunitetit, duke argumentuar se çështja duhet të trajtohet nga drejtësia.
Hankó Balázs, ish-ministër i Kulturës dhe Inovacionit dhe deputet i Fidesz, është nën hetim në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të fondeve të Fondit Kombëtar të Kulturës. Prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit të tij për dyshime për menaxhim të paligjshëm të fondeve publike. Hankó i ka mohuar akuzat.
Ndërsa Miklós Seszták, ish-ministër i Zhvillimit dhe deputet i KDNP-së, përballet me një hetim që lidhet me dyshime për korrupsion dhe kontrata të lidhura me Volánbusz.
Kërkesa për heqjen e imunitetit të të tre deputetëve ishte paraqitur nga prokuroria më 22 shtator. Pezullimi i imunitetit nuk përbën një vendim mbi fajësinë e tyre, por i hap rrugë procedurave të mëtejshme penale.
Vendimi vjen në një moment të rëndësishëm për politikën hungareze, ndërsa qeveria e drejtuar nga Magyar ka deklaruar se synon të hetojë çështje të lidhura me periudhën e gjatë të qeverisjes së Viktor Orbanit. Vetë Magyar ka mbështetur publikisht heqjen e imunitetit të tij dhe vijimin e procedurave ligjore.