✦
Thinking ...
Connect with us

Sport

42 km dhe shpërblehet me 5 mijë euro, Luiza Gega triumfon në Maratonën e Tiranës

Atletja shqiptare Luiza Gega është shpallur fituese e garës së maratonës për femra, në distancën prej 42 kilometrash, në edicionin e dhjetë të Maratonës së Tiranës.

Gega arriti të përfundojë garën me kohën 2 orë, 35 minuta e 35 sekonda, duke siguruar vendin e parë dhe çmimin prej 5 mijë eurosh.

Ky edicion jubilar i Maratonës së Tiranës ka mbledhur rreth 5,800 pjesëmarrës, ndërsa risia e këtij viti ishte përfshirja e garës prej 5 kilometrash, me synimin për të nxitur pjesëmarrjen e sa më shumë qytetarëve.

Për mbarëvajtjen e aktivitetit janë angazhuar rreth 600 vullnetarë, 800 punonjës policie dhe 500 punonjës të Bashkisë së Tiranës. Përgatitjet për organizimin e maratonës kanë zgjatur rreth gjashtë muaj.

Gara nisi në orën 08:00, ndërsa zhvillimi i saj ka sjellë kufizime në qarkullimin e automjeteve në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, të cilat do të qëndrojnë të bllokuara deri në orën 16:00.

Mes rrugëve të prekura janë Unaza e Vogël, bulevardi “Zogu i Parë”, Bulevardi i Ri, segmenti nga sheshi “Skënderbej” deri te sheshi “Nënë Tereza”, Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit, “Myslym Shyri”, si dhe disa akse në zonën e ish-Bllokut.

Advertisement