Politike
“Më përmend se nuk më harron dot”, Dashnor Sula ironizon Berishën: Ish-babai im shpirtëror
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, aktualisht Kryeinspektor i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka reaguar me ironi ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha, pasi ky i fundit e përmendi gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Sula e cilësoi Berishën si një “ish-baba shpirtëror” në politikë, ndërsa komentoi edhe largimin e figurave të njohura nga Partia Demokratike.
Sula nuk i kurseu batutat ndaj ish-kreut të tij politik, duke u shprehur se ndihet i lumtur që Berisha vazhdon ta përmendë.
“Jam i lumtur. Dashuria e vjetër nuk harrohet, kështu që z. Berisha më ka për zemër që më përmend. Sigurisht edhe unë e kam pasur për zemër shumë. Nuk e harroj. Nuk mund të harrosh ish-babën shpirtëror. Uroj të ketë karrierë të gjatë”, deklaroi ai për “A2 CNN”.
Përtej ironisë, ish-deputeti demokrat u ndal edhe te zhvillimet brenda Partisë Demokratike, duke kritikuar mënyrën se si Berisha është sjellë me një pjesë të figurave të kësaj force politike.
Sula deklaroi se kryedemokrati ka larguar nga partia një numër të konsiderueshëm njerëzish, përfshirë edhe figura me kontribut në të.