✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

ALARM NË RRUGË/ 139 aksidente në gusht, 191 persona të vrarë e të plagosur

Në gusht 2026, në Shqipëri janë regjistruar 139 aksidente rrugore, ku 191 persona kanë mbetur të vrarë ose të plagosur. Të dhënat janë publikuar nga INSTAT në raportin mujor për aksidentet rrugore.

Sipas INSTAT, gjatë periudhës janar-gusht 2026, numri i aksidenteve rrugore është rritur me 6,2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Sjellja e drejtuesve të mjeteve vijon të përbëjë shkakun kryesor të aksidenteve. Në muajin gusht, 86,3% e aksidenteve rrugore kanë ardhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.

Përsa i përket grupmoshave, personat 25-34 vjeç përbëjnë grupin me numrin më të lartë të aksidenteve, me 31,7% të totalit të regjistruar gjatë kësaj periudhe.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se dita e hënë ka regjistruar përqindjen më të lartë të aksidenteve, me 18%, ndërsa shifrat më të ulëta janë shënuar të mërkurën dhe të premten, me nga 11,5%.

Në lidhje me orarin, pjesa më e madhe e aksidenteve është regjistruar në harkun kohor 19:00-24:00, që përbën 20,1% të totalit.

Raporti i INSTAT synon të paraqesë të dhëna mujore mbi numrin e aksidenteve, personat e vrarë dhe të plagosur, si dhe shpërndarjen e tyre sipas moshës, gjinisë, sjelljes së përdoruesve të rrugës dhe qarqeve.

Të dhënat për aksidentet rrugore i sigurohen INSTAT-it nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Advertisement