Politike
Balla takim me raporterin e PE: Shqipëria synon të përshpejtojë rrugën drejt BE-së
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një takim me raporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder, me fokus procesin e integrimit europian dhe hapat e mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Gjatë takimit, Balla e cilësoi Schieder si një mik dhe mbështetës të Shqipërisë, ndërsa vuri në dukje ecurinë e vendit në procesin e zgjerimit të BE-së.
“Shqipëria është në krye të vendeve aspirante për anëtarësim në këtë raund zgjerimi dhe progresi i saj i dukshëm në rrugën europiane kontribuon në stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë dhe më gjerë”, deklaroi Balla.
Sipas kryetarit të grupit parlamentar socialist, progresi i bërë deri tani në procesin e integrimit po shoqërohet me rezultate konkrete. Në takim u diskutuan gjithashtu hapat që Shqipëria duhet të ndërmarrë në vijim për të avancuar drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.
Takimi zhvillohet në një periudhë të rëndësishme për negociatat e Shqipërisë me BE-në, ndërsa autoritetet shqiptare synojnë të vijojnë me reformat dhe të përshpejtojnë përmbushjen e angazhimeve të procesit të integrimit.