✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Bojkoti paralizon Gjykatën e Posaçme/ Gjyqtarët pa qëndrim të përbashkët

Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme u mblodhën këtë të hënë me kërkesë të kryetarit Erjon Bani, për të diskutuar situatën e krijuar prej më shumë se dy javësh pas hyrjes në fuqi të rregullores së re, më 1 shtator.

Mbledhja evidentoi qëndrime të ndryshme mes gjyqtarëve për mënyrën se si duhet të trajtohet konflikti me avokatët. Një pjesë e gjyqtarëve kërkoi që situata të zgjidhet përmes dialogut me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, ndërsa një tjetër pjesë mbështeti qëndrimin për forcimin e masave ndaj avokatëve që refuzojnë të marrin pjesë në seancat gjyqësore.

Në përfundim të mbledhjes nuk u arrit një qëndrim i përbashkët. Ndërkohë, Gjykata e Posaçme vijon të përballet me bojkotin e avokatëve, i cili tashmë nuk prek vetëm seancat gjyqësore, por edhe seancat për vlerësimin e kushteve dhe vijimin e masave të sigurisë.

Edhe këtë të hënë disa seanca nuk u zhvilluan për shkak të mungesës së avokatëve. Në këto raste, gjyqtarët kanë vijuar me vendosjen e gjobave, që variojnë nga 10 deri në 50 mijë lekë të rinj, për avokatët që nuk paraqiten pa shkaqe të arsyeshme.

Një prej seancave të planifikuara ishte ajo për Fatime Kryemadhin, Ema Çokun dhe Piro Xhixhon, e cila u shty për më 12 tetor. Dy avokatët që nuk u paraqitën në seancë u gjobitën me nga 10 mijë lekë të rinj. Mungesa e tyre lidhej me urdhrin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë për bojkotimin e seancave.

Në qendër të përplasjes është rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme, e cila ndalon përdorimin e telefonave celularë në sallën e gjyqit nga palët në proces, përfshirë edhe përfaqësuesit e mediave.

Avokatët e kundërshtojnë këtë kufizim dhe, në shenjë proteste, kanë vijuar bojkotin e seancave. Ndërkohë, gjykata ka zgjedhur të procedojë me masa administrative ndaj avokatëve që nuk marrin pjesë në proceset gjyqësore.

Përplasja mes dy institucioneve vijon prej javësh, ndërsa mungesa e një zgjidhjeje të përbashkët po ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin normal të seancave në Gjykatën e Posaçme.

Advertisement