Politike
Integrimi në BE/ hoxha: Nuk kërkojmë favore, rrugën drejt be-së e duam të bazuar në meritë
Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha, deklaroi në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë” se perspektiva europiane për Shqipërinë lidhet me rikthimin në atë që ai e cilësoi si “shtëpia ku përket”.
Hoxha theksoi se parimi i meritës duhet të mbetet në themel të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Sipas tij, Shqipëria nuk kërkon favore apo përshpejtim të procesit përmes rrugëve alternative, por një proces të drejtë dhe të besueshëm, ku progresi i vendeve kandidate të vlerësohet.
“Ne nuk kërkojmë favore, as rrugë të shkurtra. Kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në merita”, deklaroi Hoxha.
Ministri nënvizoi se parimi i meritës duhet të funksionojë në të dyja drejtimet. Sipas tij, vendet kandidate duhet të realizojnë reformat dhe të tregojnë rezultate konkrete, ndërsa Bashkimi Europian duhet ta njohë dhe t’i përgjigjet progresit kur ai arrihet.
Duke folur për ecurinë e Shqipërisë, Hoxha tha se vendi ka bërë përparim të konsiderueshëm në procesin e integrimit dhe se pas reformave, fokusi aktual është te zbatimi i tyre.
“Në më pak se dy vjet kemi hapur të gjithë kapitujt, kemi përmbushur standardet dhe kemi nisur fazën e fundit, atë të mbylljes së kapitujve”, u shpreh ministri.
Sipas tij, anëtarësimi në BE nuk duhet të shihet vetëm si arritja e një date të përcaktuar, por si përmbushje e standardeve që i mundësojnë një vendi të kontribuojë në projektin europian që nga dita e parë.
Hoxha tha se Shqipëria do të vijojë reformat dhe zbatimin e tyre, duke përsëritur se objektivi strategjik i vendit mbetet anëtarësimi në Bashkimin Europian.