Bota
NETANYAHU NIS DOSJE KUNDER ERDOGANIT NE HAGE
Përplasja mes Izraelit dhe Turqisë merr një tjetër kthesë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar përgatitjen e një çështjeje ligjore kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
Sipas raportimeve të mediave izraelite, në qendër të dosjes pritet të jenë pretendimet e Izraelit për trajtimin e komunitetit kurd në Turqi, si dhe akuzat se qeveria e Erdoganit ka mbështetur financiarisht Hamasin.
Lëvizja e Izraelit vjen në një moment kur marrëdhëniet mes dy vendeve janë përkeqësuar ndjeshëm.
Turqia ka ndërmarrë më herët hapa ligjorë kundër Netanyahut dhe ka kërkuar përfshirjen e Interpolit në një proces të zhvilluar nga autoritetet turke. Ankara e lidh këtë proces me ndërhyrjen izraelite ndaj aktivistëve të Flotiljes Globale Sumud.
Tashmë, Tel Avivi po përgatit kundërpërgjigjen.
Por ka një pengesë të rëndësishme juridike: as Izraeli dhe as Turqia nuk janë anëtare të Statutit të Romës, traktatit që themeloi Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
Për këtë arsye, Izraeli po shqyrton mundësinë që çështja të paraqitet përmes një pale tjetër. Sipas raportimeve, përgatitja e dosjes mund të shërbejë edhe si presion diplomatik ndaj Ankarasë dhe nuk do të thotë domosdoshmërisht se ajo do të depozitohet.
Përplasja merr një tjetër dimension për shkak të historisë së vetë Netanyahut me këtë gjykatë.
Në nëntor të vitit 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti ndaj kryeministrit izraelit, lidhur me pretendime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli e ka kundërshtuar juridiksionin e gjykatës dhe ka hedhur poshtë urdhrin.
Tashmë, i njëjti institucion mund të kthehet në një tjetër arenë të përplasjes mes Izraelit dhe Turqisë.
Netanyahu kundër Erdoganit, Izrael kundër Turqisë – përplasja po zhvendoset nga deklaratat politike në terrenin e drejtësisë ndërkombëtare.