Politike
Nga Xhamia e Madhe e Kavajës, Balla uron besimtarët myslimanë
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun Tiranë, Taulant Balla, nga Xhamia e Madhe e Kavajës ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Në mesazhin e tij, Balla uroi jo vetëm besimtarët e qytetit të Kavajës, por të gjithë shqiptarët, duke e cilësuar Kurban Bajramin si një festë të sakrificës, solidaritetit dhe përkujdesjes ndaj atyre që kanë nevojë.
“Gëzuar Kurban Bajramin të gjithë besimtarëve, jo vetëm të qytetit të Kavajës, por të gjithë Shqipërisë. Një festë e bukur të cilën e festojnë të gjithë shqiptarët, pa dallim besimi fetar, sepse Kurban Bajrami është dita e sakrificës, ku secili prej nesh duhet të përkujdeset më shumë për ata që kanë nevojë”, u shpreh Balla.
Balla gjithashtu u ndal edhe tek integrimi i Shqipërisë në BE, duke e konsideruar si një moment të rëndësishëm për vendin hapjen dhe avancimin e negociatave me Bashkimin Europian.
Balla theksoi se lajmi i mirë për shqiptarët është se Shqipëria ka nisur tashmë mbylljen e kapitujve të negociatave drejt anëtarësimit të plotë në BE.
“Kemi filluar të mbyllim negociatat për t’u ecur përpara drejt anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaroi ai.
Në përfundim, Balla përcolli urimet për festa të gëzuara dhe më shumë mirësi e solidaritet mes shqiptarëve.