Aktualitet
Një sulm i shëmtuar, i pabesë dhe kriminal
Nga Eduard Shalsi
Një sulm i shëmtuar, i pabesë dhe kriminal
Ka një dallim të madh midis qytetarëve që shprehin opinionet e tyre individuale me komente apo vlerësime, dhe një fushate të koordinuar për të dëmtuar reputacionin ose aktivitetin ekonomik të bizneseve.
Kam folur vazhdimisht për një pjesë të shëndetshme të protestuesve, por nuk mund të mos komentoj sulmin ndaj bizneseve nga pjesa e shëmtuar e saj; një sulm sa i paprecedentë, aq edhe i pabesë e kriminal.
Teksa tashmë panorama është shumë e qartë dhe shumë komentues (që synonin të keqësonin kuotimet e bizneseve dhe që, fatmirësisht, nuk i kanë fshehur identitetet e tyre) janë bërë tashmë ose të vetëdijshëm për përmasat e budallallëkut të tyre, ose po heshtin në pritje të llogaritjes së sulmit të radhës. Të parët kanë filluar madje të kërkojnë falje, të përpiqen të kontaktojnë bizneset ose të justifikohen me lloj-lloj gjepurash, ndërkohë që ndërhyrja e shpejtë e Google-it po rikuperon dëmin e shkaktuar dhe, për më tepër, siç më thoshte një djalë i talentuar shqiptar që punonte prej vitesh për kompaninë, nuk do të mbetet me kaq.
Në një demokraci, protesta është një e drejtë. Por askush nuk ka të drejtë të marrë rolin e gjykatës dhe të dënojë biznese apo individë përmes fushatave të organizuara të denigrimit. Nëse nesër pranojmë që një biznes të sulmohet sepse nuk na pëlqen, pasnesër mund të sulmohet një gazetar, një profesor apo një qytetar i zakonshëm. Demokracia mbron protestën, por mbron edhe shtetin e së drejtës.
Po bëhet gjithmonë e më e qartë se pse protesta po degradon në fjalor, në veprime dhe është tkurrur aq shumë, saqë në vend të prodhonte ide, tanimë po prodhon banalitet dhe vulgaritet.