Aktualitet
RAMA PËRBALLË REBELIMIT TË BRENDSHËM/ KULLA: PO KERKON EMRA JASHTE PARTISE
Ilir Kulla parashikon një përplasje të fortë brenda Partisë Socialiste në prag të zgjedhjeve të ardhshme vendore, me epiqendër përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkish.
I ftuar në podcastin “Të Pashoq” të Pamfletit, Kulla përjashtoi mundësinë që pakënaqësitë brenda socialistëve të prodhojnë një ndarje të ngjashme me atë që dikur çoi në krijimin e LSI-së. Sipas tij, tensioni do të shfaqet brenda vetë PS-së, kur të nisë beteja për emrat që do të përfaqësojnë partinë në zgjedhjet vendore.
“Jo, nuk ka shanse të krijohet diçka e tillë aty. E vetmja gjë që do të ndodhë është se do të ketë një përplasje të fortë brenda radhëve për përgatitjen e zgjedhjeve vendore dhe për kandidatët. Unë mendoj që Rama, duke lexuar sondazhet dhe duke lexuar protestat, do të mundohet të gjejë personazhe të rinj nga shoqëria civile, për t’i promovuar si kandidatë të mundshëm në zgjedhjet e ardhshme vendore”, u shpreh Kulla.
Sipas tij, Rama po merr në konsideratë edhe mundësinë që opozita të shkojë drejt zgjedhjeve me një formulë më të gjerë kandidatësh, duke përfshirë emra të dalë nga protestat apo shoqëria civile. Kulla pretendon se një skenar i tillë mund ta vendosë PS-në në vështirësi edhe në zona ku aktualisht ka avantazh politik.
“Rama po e lexon shumë mirë që mundësia e krijimit të një opozite të gjerë mes partive opozitare, duke marrë kandidatë nga e ashtuquajtura protestë, pra nga sheshi, kandidatë nga shoqëria civile e të tjerë, mund ta çonte PS-në në minorancë edhe atje ku sot është mazhorancë. Prandaj do të mundohet të gjejë emra të rinj dhe, sipas meje, jo domosdoshmërisht nga radhët e partisë”, tha eksperti.
Kulla u ndal veçanërisht te Tirana, duke sjellë si shembull situatën e Erion Veliajt, i cili ndodhet në paraburgim. Veliaj vijon të mbajë postin e kryebashkiakut të Tiranës, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij vazhdon në GJKKO.
“Ki parasysh që kryetarët e fortë të Partisë Socialiste nëpër bashki… më i forti, Erion Veliaj, ka pasur fitoren më të madhe historike që ka pasur ndonjëherë Partia Socialiste në Tiranë. Prej një viti e gjysmë është në burg. Pra, ai nuk mund të presë më nga një Erion Veliaj rezultatin që i dha më parë. Përkundrazi, mund të ndodhë e kundërta. Kështu që do të mundohet të gjejë një emër që vjen jo nga brenda radhëve të partisë”, deklaroi Kulla.
Eksperti përmendi edhe Vlorën si një sinjal për drejtuesit socialistë. Në zgjedhjet e pjesshme vendore të nëntorit 2025, pjesëmarrja në Vlorë ishte vetëm 12.59%, më e ulëta ndër pesë bashkitë ku u votua, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së. Kulla e interpretoi pjesëmarrjen e ulët si tregues të një mobilizimi të dobët të elektoratit socialist.
“Zgjedhjet e fundit në Vlorë, që është një bastion i PS-së, patën vetëm rreth 12% të popullsisë që doli të votonte. Kjo, sipas meje, tregon se socialistët nuk kanë dalë të votojnë. Pastaj janë pakënaqësitë që shfaqen në sondazhe në zona si Durrësi. Edhe atje mund t’i duhet të gjejë një figurë tjetër për të kandiduar. Pra, Rama e lexon këtë gjë. Edhe eksperienca e tij politike, si kryetar bashkie për tre mandate, e bën që ta lexojë”, u shpreh Kulla.
Pikëpyetja e madhe, sipas tij, është nëse Rama do të arrijë të bindë figura jashtë PS-së që të kandidojnë nën siglën socialiste dhe, njëkohësisht, nëse strukturat e partisë do të pranojnë që njerëz të ardhur nga jashtë të marrin kandidaturat.
“Por a do të ketë figura që do të duan t’i bashkohen atij? Dyshoj. Dhe, nga ana tjetër, a do ta lejojë Partia Socialiste këtë nga brenda? Edhe këtu kam dyshimet e mia. Sepse socialistët, pas këtyre që kanë parë, videove, përgjimeve dhe skandaleve të tjera që presin të dalin, thonë: ‘Më fal, ne kemi punuar dhe këta të tjerët bëjnë lekë?’. Kështu që do ta ketë shumë të vështirë për ta menaxhuar këtë pjesë”, përfundoi Ilir Kulla.