Politike
“Ramën do ta tërheqim zvarrë si Gadafin”/ Antiterrori thërret avokatin Altin Goxhaj
Avokati Altin Goxhaj, i cili ftuar në një podcast, bëri një deklaratë të bujshme ku tha se më 2 korrik do të jetë kulmi i revoltës së popullit kundër Edi Ramës, i cili sipas tij, nëse deri më 30 qershor nuk ka ikur nga zyra, më 2 korrik shqiptarët “do ta vrasin duke e hequr zvarrë”, si Gadafin në Libi. Pas kësaj deklarate, ai është thirrur nga Antiterrori këtë të mërkurë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Goxhaj përmes një videoje në rrjetet sociale, ku sqaron se arsyeja e thirrjes së tij lidhet pikërisht me deklaratat ndaj kryeministrit Edi Rama.
Ndërkohë, avokati nuk ka ndryshuar qëndrim, duke deklaruar se më 2 korrik shqiptarët do të korrigjojnë gabimin historik.
Goxhaj: Më kanë thirrur në Komisariatin Nr. 3. Më ka thirrur Antiterrori. Në çudinë e madhe, oficeri i Antiterrorit që më ka thirrur nuk është përgjegjës për Tiranën, por për një zonë verilindore të Shqipërisë. Duket se nuk i ka ngelur asnjë besnik Antiterrorit.
Arsyeja që më kanë thirrur janë deklaratat e mia televizive dhe podcast-et në lidhje me 2 korrikun, ditën më të madhe historike të Shqipërisë. Dita e korrigjimit historik të tranzicionit, ku menduam se do ta gjenim zgjidhjen në ambasada.
Ne jemi një popull refugjat dhe më 2 korrik do të rregullojmë gabimin që kemi bërë! Unë jam thirrur këtu; do dal apo s’do dal, do ta kuptojmë aty. Faleminderit.
Video Credits: Joq Albania