Politike
SHPERTHEN ILIR ALIMEHMETI: RAMA E FUTI BRENDA, EDI RAMA E MBAN NE BURG ERION VELIAJN
Një kërkesë që pretendohet se është bërë “në emër të Këshillit Bashkiak” për praninë e Erion Veliajt në sallën e Bashkisë së Tiranës, ndez përplasjen politike mes mazhorancës dhe opozitës në Këshillin Bashkiak.
Këshilltari opozitar Ilir Alimehmeti e konsideron këtë formulim një përpjekje të socialistëve për të fshehur përgjegjësinë politike pas institucionit kolektiv. Në një deklaratë Alimehmeti thotë se dokumenti mban firmat e këshilltarëve të PS-së dhe se bëhet fjalë, sipas tij, për një kërkesë të socialistëve dhe jo të gjithë Këshillit Bashkiak.
ALIMEHMETI: “Është e disata herë që PS fshihet pas gishtit. Thotë ‘kërkesë në emër të Këshillit Bashkiak’, por nuk është e vërtetë, pasi është kërkesë e PS. Këshilltarët e PS kanë firmosur në këtë kërkesë.”
Alimehmeti i lidh këto firma edhe me qëndrime të mëparshme të këshilltarëve socialistë. Sipas tij, janë të njëjtët këshilltarë që më herët kanë firmosur për shkarkimin e Veliajt dhe që tani kërkojnë praninë e tij në mbledhjet e Këshillit Bashkiak.
Ai akuzon gjithashtu këshilltarët e PS-së se nuk kanë ushtruar, sipas tij, kontrollin e nevojshëm financiar mbi administrimin e Bashkisë gjatë kohës së Veliajt dhe se nuk kanë reaguar ndaj kërkesave të opozitës për mbledhje të jashtëzakonshme pas arrestimit të kryebashkiakut.
Por për Alimehmetin, çështja shkon përtej pranisë apo mungesës së Veliajt në sallë. Sipas tij, problemi kryesor është funksionimi i Bashkisë së Tiranës, ndërsa ai ngre shqetësimin se institucioni ndodhet në një situatë të bllokuar, me kryetarin e bashkisë në arrest dhe pa një nënkryetar të deleguar me kompetenca ekzekutive.
ALIMEHMETI: “Në mbledhje ka detyrim të jetë i pranishëm një person që përfaqëson ekzekutivin, ose kryetari i bashkisë, ose një nënkryetar i deleguar me firmën e tij. Ne kemi pyetje për të bërë, diskutime dhe duhet të mbajë përgjegjësi ky person.”
Këshilltari opozitar e zhvendos më pas akuzën te drejtimi politik i Bashkisë dhe te roli i Partisë Socialiste.
Sipas tij, situata aktuale është pasojë e asaj që ai e quan abuzim të pushtetit nga eksponentë të PS-së dhe pretendon se këshilltarët socialistë ndryshojnë qëndrime në varësi të udhëzimeve politike.
Alimehmeti kërkon që të bëhen publike emrat e këshilltarëve që kanë firmosur kërkesën e fundit dhe që ata të ballafaqohen me firmat e dokumentit të mëparshëm për shkarkimin e Veliajt.
ALIMEHMETI: “Do vini re që janë po të njëjtat firma, që do të thotë që në varësi si fishkëllen Edi Rama, këta shkojnë nga mbrapa.”
Përplasja tashmë nuk është vetëm për praninë e Veliajt në një mbledhje. Ajo prek edhe përgjegjësinë politike të këshilltarëve, funksionimin e Këshillit Bashkiak dhe mënyrën se si duhet të ushtrohet drejtimi ekzekutiv i Bashkisë së Tiranës në kushtet aktuale.