Aktualitet
SPAK ZGJERON HETIMET/ Ardi Veliut i sekuestrohet telefoni
SPAK ka zgjeruar veprimet hetimore në kuadër të një çështjeje ku më herët janë kryer kontrolle në banesën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet, në periferi të Tiranës, si dhe në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes.
Në vijim të hetimeve, kontrolle janë kryer edhe në biznesin e sipërmarrëses Arjeta Puca, ndërsa drejtorit të kompanisë “KAYO”, Ardi Veliu, i është sekuestruar telefoni. Pajisja pritet të jetë pjesë e materialeve që do të verifikohen nga hetuesit, për të evidentuar komunikime apo të dhëna që mund të lidhen me objektin e hetimit.
Ndërkohë, nga ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes janë sekuestruar më herët një sërë dokumentesh, të cilat po i nënshtrohen verifikimit nga grupi hetimor.
Në qendër të denoncimeve të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj janë përmendur biznesmeni Ron Yeffet, kompania “Timak Defense” dhe aktiviteti i kompanisë shtetërore “KAYO”. Ahmetaj ka pretenduar se në disa materiale audio përmenden biseda dhe persona që, sipas tij, lidhen me një skemë të trafikut të armëve.
Në materialet e bëra publike nga Ahmetaj përmenden gjithashtu kompani të lidhura me aktivitetin e Yeffet, mes tyre “Timak”, “Timak Defense”, “Timak Aviation” dhe “Timak Horse Club”. Verifikimi i këtyre pretendimeve dhe lidhjeve të përmendura është pjesë e veprimeve që po kryhen nga autoritetet.