Politike
Takimi Putin-Trump-Xi/ Rama kritikon Europën: Bëri gabim strategjik me Rusinë
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në takimin e nivelit të lartë të “Koalicionit të Vullnetmirëve”, i zhvilluar në Berlin me ftesë të kancelarit gjerman Friedrich Merz. Në fokus të diskutimeve ishte koordinimi i vendeve europiane dhe mundësia e krijimit të një grupi përfaqësues që të flasë në emër të Europës në komunikimet e mundshme me Rusinë.
Gjatë një prononcimi për mediat, Rama e cilësoi takimin si një mundësi të rëndësishme, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit dhe vendimeve të marra në Dublin.
“Është një mundësi e mirë për t’u mbledhur këtu në këtë Koalicion, pas asaj që po ndodh. Dhe veçanërisht edhe pas asaj që u vendos në Dublin, për të pasur më në fund një grup përfaqësues që të flasë në emër të gjithë Europës në një komunikim të mundshëm me Rusinë”, deklaroi kryeministri.
Rama u ndal edhe te nevoja që Europa të ketë një rol të koordinuar në komunikimin me Moskën. Sipas tij, ndërprerja e kontakteve të mëparshme ka qenë një gabim strategjik, ndërsa krijimi i një grupi përfaqësues mund të shënojë rifillimin e përpjekjeve diplomatike.
“Europa vendosi të ketë një grup në frontin e parë, i cili do të përfaqësojë Europën në një komunikim të mundshëm me Rusinë, sepse ka qenë një gabim strategjik që nuk e kemi bërë këtë që në fillim”, u shpreh Rama.
Ai kujtoi se në fazat e para kishte pasur disa komunikime, por më pas ato ishin ndërprerë. Tashmë, sipas tij, ky proces po rifillon, ndërsa mbetet për t’u parë se çfarë rezultatesh do të sjellë.