Bota
Më pak aktivitet fizik/ Studimi: Fëmijët në Europë janë më të dobët fizikisht se…
Fëmijët dhe adoleshentët në Europë po regjistrojnë nivelin më të ulët të formës fizike në gati gjashtë dekada, sipas një studimi të ri shkencor që paralajmëron për pasoja serioze afatgjata në shëndetin e brezave të rinj.
Studimi, i realizuar nga Universiteti i Zaragozës dhe i publikuar në revistën Sports Medicine-Open, analizoi të dhënat e 417.362 fëmijëve dhe adoleshentëve të moshës 6 deri në 16 vjeç nga 20 vende europiane, duke krahasuar treguesit e shëndetit fizik përgjatë periudhës 1965–2023.
Rezultatet tregojnë një rënie të vazhdueshme të forcës muskulore. Sipas studiuesve, forca e pjesës së sipërme të trupit ka ardhur duke u ulur që nga vitet ’70, ndërsa forca e këmbëve ka pësuar rënie të ndjeshme që prej viteve ’80.
Rënia më e madhe është vërejtur te fleksibiliteti, i cili është përkeqësuar vazhdimisht, veçanërisht pas vitit 2000. Në të njëjtën kohë, studiuesit kanë konstatuar edhe rritje të yndyrës trupore te fëmijët dhe adoleshentët.
Sa i përket aftësisë kardiorespiratore, që tregon efikasitetin e zemrës, mushkërive dhe sistemit të qarkullimit të gjakut gjatë aktivitetit fizik, studimi tregon se pas një rënieje afatgjatë është vërejtur një stabilizim në periudhën 2015–2023. Megjithatë, nivelet aktuale mbeten dukshëm më të ulëta krahasuar me dekadat e kaluara.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, fëmijët dhe adoleshentët duhet të kryejnë të paktën 60 minuta aktivitet fizik çdo ditë. Megjithatë, mbi 75% e adoleshentëve europianë nuk arrijnë ta përmbushin këtë rekomandim.
OBSH paralajmëron se mungesa e aktivitetit fizik lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje kronike, përfshirë sëmundjet koronare të zemrës, diabetin e tipit 2, kancerin e gjirit dhe kancerin e zorrës së trashë.
Ekspertët theksojnë se krijimi i zakoneve aktive që në fëmijëri është thelbësor për një jetë më të shëndetshme në moshë madhore dhe bëjnë thirrje për më shumë investime në sport, edukimin fizik dhe promovimin e aktivitetit të përditshëm te fëmijët.