Connect with us

Bota

60 mijë emigrantë në 24 orë, Sánchez i drejtohet Brukselit me letër urgjente

Kriza migratore në Ceuta ka thelluar përplasjet brenda Bashkimit Europian, pasi Spanja ka kërkuar një reagim të koordinuar nga të gjitha shtetet anëtare për përballimin e fluksit të emigrantëve që mbërritën nga Maroku.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, u ka dërguar një letër institucioneve europiane, ku shpreh shqetësimin për reagimin e disa vendeve të BE-së ndaj situatës së krijuar në kufirin jugor të unionit.

Në letrën e tij, Sánchez kërkon mbledhjen urgjente të ministrave të Brendshëm të 27 vendeve anëtare, me synimin për të ndërtuar një strategji të përbashkët dhe për të riafirmuar se mbrojtja e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian është përgjegjësi e të gjitha vendeve anëtare.

Kryeministri spanjoll kritikon qëndrimet që, sipas tij, udhëhiqen nga paragjykimet, dezinformimi apo interesat politike, duke theksuar se ato bien ndesh me parimet e solidaritetit europian dhe me të drejtën ndërkombëtare humanitare. Deklarata e tij vjen pasi Italia pezulloi zbatimin e marrëveshjes Shengen ndaj Spanjës, megjithëse Sánchez nuk e përmendi drejtpërdrejt Romën.

Nga ana tjetër, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Bashkimi Europian i ofroi mbështetje Spanjës që në momentet e para të krizës dhe mirëpriti kërkesën për një takim të jashtëzakonshëm për të analizuar zhvillimet.

Kriza shpërtheu pasi rreth 60 mijë emigrantë kaluan kufirin nga Maroku drejt enklavës spanjolle të Ceutës brenda 24 orëve. Shumica e tyre u kthyen më pas në territorin maroken, ndërsa autoritetet raportuan se gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin humbën jetën të paktën 86 persona dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur.

Për të rikthyer kontrollin, në Ceuta u angazhuan forca të shumta të sigurisë, ndërsa autoritetet vendase vendosën një perimetër sigurie për stabilizimin e situatës. Kriza ka rihapur debatin në Bashkimin Europian për menaxhimin e emigracionit dhe ndarjen e përgjegjësive mes vendeve anëtare.

Advertisement