Aktualitet
Akuzohet për trafik droge/ GJKKO lë në burg Bledar Çafin, në kërkim Endrit Dokle
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg Bledar Çafin, i arrestuar gjatë ditës së djeshme në Shkodër.
Lajmi është konfirmuar nga gazetarja Klodiana Lala. Çafi akuzohet nga SPAK për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale.
Arrestimi i 50-vjeçarit u krye në orët e para të mëngjesit të 26 shtatorit, në banesën e tij në Shkodër, në kuadër të operacionit “Muri i Lartë”. Masa e sigurisë “Arrest me burg” ishte caktuar nga GJKKO më 25 shtator 2026.
Në kuadër të të njëjtit operacion, Policia e Shtetit dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e SPAK, zhvilluan kontrolle edhe në ambientet që i përkasin Endrit (Indrit) Dokles.
43-vjeçari, i lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, është person në kërkim që prej vitit 2024, me masë sigurie “Arrest me burg” për akuza që lidhen me trafikun e narkotikëve dhe grupin e strukturuar kriminal.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në banesat e tij, Dokle nuk është gjetur. Për këtë arsye, ai është rishpallur në kërkim, ndërsa strukturat ligjzbatuese vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Operacioni “Muri i Lartë” u zhvillua në disa zona të vendit, me pjesëmarrjen e Forcave Speciale RENEA, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtorisë për Hetimin e Narkotikëve dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe nën drejtimin e SPAK.