Bota
MOSKA HAP KUTINË E PANDORËS/ TURQIA NË LUFTË PËR F-35 ME ÇELESAT E PUTINIT
Një lëvizje e re nga Moska mund të ndryshojë ekuilibrat në përplasjen mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Rusia sinjalizon se mund të japë dritën jeshile për transferimin e sistemeve S-400 të Turqisë drejt një vendi të tretë.
Por kushtet e Moskës janë të forta: Ankaraja duhet të marrë miratimin rus, ndërsa vendi pritës duhet të garantojë se sistemet nuk do të përfundojnë më pas në duart e një shteti tjetër.
Deklarata vjen nga ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në Nju Jork. Ai nuk konfirmoi nëse destinacioni mund të jenë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe tha se Rusia nuk ka marrë ende një kërkesë zyrtare nga Turqia.
Por pas kësaj deklarate fshihet një betejë shumë më e madhe.
S-400 janë pengesa që prej vitesh mban Turqinë jashtë programit amerikan F-35.
Ankaraja bleu sistemet ruse në një marrëveshje prej rreth 2.5 miliardë dollarësh, duke shkaktuar përplasje të fortë me Uashingtonin.
Shtetet e Bashkuara e përjashtuan Turqinë nga programi F-35 dhe vendosën sanksione ndaj industrisë së saj të mbrojtjes.
Tani, transferimi i S-400-ve në një vend tjetër po shfaqet si një prej skenarëve për të zhbllokuar krizën.
Por Moska mban ende çelësin.
Pa miratimin rus, Turqia nuk mund t’i transferojë sistemet sipas kushteve të marrëveshjes.
Dhe edhe nëse S-400 largohen nga Turqia, dera e F-35 nuk hapet automatikisht.
Për momentin nuk ka marrëveshje, nuk ka destinacion të konfirmuar dhe Ankaraja nuk i ka paraqitur Moskës kërkesë zyrtare.
Por një gjë është e qartë: beteja për S-400 po rikthehet në qendër të përplasjes strategjike mes Ankarasë, Moskës dhe Uashingtonit.