✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Rama jep afatin për BE-në: Nisim mbylljen e kapitujve para fundit të vitit

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po përgatitet të nisë mbylljen e kapitujve të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, me synimin që procesi të nisë para fundit të këtij viti dhe të vijojë me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve gjatë vitit të ardhshëm.

Në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama tha se qeveria shqiptare vijon të ketë, sipas tij, “vullnet të hekurt” për të çuar përpara procesin e integrimit europian.

“Procesi tanimë ka hyrë në fazën e mbylljes së kapitujve. Përgatitemi për të nisur me mbylljen e kapitujve para fundit të vitit dhe pastaj për të vijuar vitin e ardhshëm me një pjesë të konsiderueshme të kapitujve”, deklaroi Rama.

Kryeministri u ndal edhe te Plani i Rritjes së Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, duke e cilësuar si një mbështetje të rëndësishme për rajonin. Sipas Ramës, ky mekanizëm nuk ofron vetëm mbështetje financiare, por synon edhe një proces të integrimit gradual të vendeve të rajonit, përpara anëtarësimit të plotë në BE.

Rama tha se Shqipëria ka arritur të përmbushë disa prej objektivave të përcaktuara në kuadër të Planit të Rritjes dhe e konsideroi këtë një element të rëndësishëm të bashkëpunimit me Bashkimin Europian.

Deklaratat u bënë gjatë vizitës së Ursula von der Leyen në Tiranë, në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor, ku procesi i integrimit europian dhe ecuria e reformave janë në fokus të takimeve.

Advertisement