Aktualitet
Videot intime të personave publikë/ Komisioneri: Edhe ata kanë të drejtë për privatësi
Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka reaguar pas publikimit dhe shpërndarjes në rrjete sociale dhe portale online të materialeve të pretenduara intime të personave publikë në Shqipëri.
Në reagimin e saj, Zyra e Komisionerit u bën thirrje mediave, portaleve dhe përdoruesve të internetit të ndalojnë publikimin dhe rishpërndarjen e këtyre materialeve, duke theksuar se edhe personat publikë gëzojnë të drejtën për privatësi dhe mbrojtjen e dinjitetit.
Sipas Komisionerit, kurioziteti i publikut për jetën intime të një individi nuk përbën në vetvete interes publik dhe nuk mund të përdoret si justifikim për publikimin e përmbajtjeve private. Në reagim theksohet gjithashtu se liria e shprehjes dhe e informimit duhet të ushtrohet në përputhje me kërkesat ligjore për domosdoshmërinë, proporcionalitetin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Zyra e Komisionerit nënvizon se fakti që një material është publikuar më herët në internet nuk e bën automatikisht të ligjshëm ripublikimin apo shpërndarjen e tij. Sipas institucionit, çdo rishpërndarje mund të rrisë ekspozimin dhe dëmin ndaj personave të prekur dhe familjeve të tyre.
Në reagim i referohet edhe ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, ndërsa paralajmërohen masa administrative dhe penale në rastet e përpunimit të paligjshëm të të dhënave personale.
Në përfundim, Zyra e Komisionerit kërkon ndërprerjen e publikimit dhe rishpërndarjes së materialeve intime të publikuara në kundërshtim me ligjin, si dhe heqjen e përmbajtjeve të tilla nga platformat ku janë publikuar.