✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Begaj pret Von der Leye: Shqipëria vendos objektivin, kapitujt deri në 2027

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me bisedën që u përqendrua te procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, reformat dhe bashkëpunimi rajonal.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë dhe rikonfirmoi se anëtarësimi në BE mbetet një objektiv strategjik i vendit.

Sipas Begajt, procesi i integrimit përbën edhe një proces transformues për forcimin e institucioneve, demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve. Ai vlerësoi se Shqipëria ka bërë përparim në procesin negociues, ndërsa përmendi Planin e Rritjes, përfshirjen në SEPA dhe programin EU4Schools si shembuj konkretë të përfitimeve të këtij procesi.

Presidenti theksoi se ambicia e Shqipërisë është të ruajë ritmin e reformave dhe të vijojë përparimin drejt mbylljes së të gjithë kapitujve të negociatave deri në fund të vitit 2027.

Në fokus të bisedës ishin edhe sundimi i ligjit, reforma në drejtësi dhe forcimi i institucioneve demokratike. Begaj rikonfirmoi qëndrimin se anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të bazohet në meritë dhe rezultate konkrete.

“E vetmja rrugë e qëndrueshme është ajo e reformave konkrete. Jo vetëm të bëjmë ligje, por të rrisim standardet sipas atyre evropiane dhe t’i vëmë në zbatim”, u shpreh Presidenti.

Në përfundim, Kreu i Shtetit riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar procesin e integrimit me përgjegjësi dhe përkushtim, duke e lidhur këtë rrugëtim edhe me kontributin e vendit në sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit dhe Evropës.

Advertisement