Pinknews
A e parashikoi Dr. Flori Shqipërinë e sotme? Këngët që prekin plagët e shoqërisë
Dymbëdhjetë vite pas ndarjes së tij nga jeta, këngët e Florian Kondit, i njohur për publikun si Dr. Flori, vazhdojnë të përcjellin mesazhe që lidhen me realitetin shqiptar. Përmes ironisë, kritikës sociale dhe zhgënjimit politik, krijimet e tij trajtuan fenomene që vijojnë të jenë pjesë e debatit publik edhe sot.
Një prej tyre është kënga “Cerri”, e publikuar në vitin 2006, ku Dr. Flori ironizonte të rinjtë që përpiqeshin të ndërtonin identitetin përmes parasë, makinave luksoze, tatuazheve dhe një imazhi të huazuar. Personazhi i këngës synonte të shfaqej si dikush që nuk ishte, duke e lidhur vlerën personale me pamjen dhe statusin material. Një fenomen që në epokën e rrjeteve sociale ka marrë forma të reja, përmes ekspozimit të një jetese që jo gjithmonë përputhet me realitetin.
Në vitin 2013, me këngën “Zemërthyer”, artisti shprehu zhgënjimin ndaj idealeve politike dhe parimeve që, sipas mesazhit të krijimit, ishin kthyer në pazare. “Zemërthyer, nga pazari që u bë me idealin”, ishte vargu që përmblidhte kritikën e tij ndaj braktisjes së bindjeve dhe interesave personale në politikë.
Ndërsa që në vitin 2003, së bashku me grupin West Side Family, Dr. Flori publikoi “Tik Tak Tingujt e Jetës”, një këngë që trajtonte papunësinë, pasigurinë dhe vështirësitë e përditshme. Përmes vargjeve “Ne këndojmë për ju që ju të mos urreni” dhe “A më mirë a më keq, a më mirë do shkojë”, grupi përcillte një mesazh mes përshkrimit të realitetit dhe shpresës për ndryshim.
Në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, Miri dhe Landi, e kujtuan Dr. Florin përmes publikimit të momenteve dhe kujtimeve nga rrugëtimi i tyre i përbashkët muzikor. Këngët e tij mbeten pjesë e trashëgimisë së muzikës shqiptare, por edhe dëshmi e temave sociale e politike që ai zgjodhi të trajtonte përmes artit.