Aktualitet
KLSH përgatit dosje të reja për SPAK/ Arben Shehu: Kemi hasur në presione
Kontrolli i Lartë i Shtetit po vijon një seri auditimesh në disa sektorë dhe institucione, ndërsa rastet ku konstatohen shkelje i referohen organeve të drejtësisë, veçanërisht Prokurorisë së Posaçme.
Në një intervistë për gazetaren Anila Hoxha në Top Channel, kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, tha se institucioni është duke përgatitur materiale të tjera që mund t’u përcillen organeve të akuzës.
Sipas Shehut, aktualisht po kryhen verifikime në disa fusha, përfshirë asetet në sektorin e energjisë, Ministrinë e Energjisë dhe KESH, aksin Thumanë-Fushë Krujë-Kashar, vendburimet e naftës, Drejtorinë e Burgjeve, vendshfrytëzimet e kromit, hidrocentralet dhe mbështetjen për bujqësinë.
Në listën e auditimeve të përmendura nga kreu i KLSH-së janë edhe sistemet fotovoltaike, analizat e biopsisë, monitorimi i substancave të rrezikshme, si dhe disa procedura dhe kontrata në sektorin e shëndetësisë.
Shehu përmendi gjithashtu disa auditime të përfunduara, ndër to kontrollin e kontratës për setet kirurgjikale në Ministrinë e Shëndetësisë, Shërbimin e Kontrollit Mjekësor Bazë dhe Korporatën e Investimeve Shqiptare.
Kreu i KLSH-së theksoi se puna e institucionit nuk përfundon me përfundimin e një auditimi. Sipas tij, kur gjatë kontrolleve vlerësohet se ka shkelje, materialet i përcillen Prokurorisë, me referime të veçanta edhe në SPAK.
Duke folur për punën e audituesve, Shehu pranoi se janë evidentuar edhe raste presioni ndaj tyre. Ai tha se për situata të tilla do t’u drejtohen institucioneve përgjegjëse, ndërsa siguroi se presionet, sipas tij, nuk kanë ndikuar në punën e KLSH-së.
“Patjetër që për presione konkrete, por kjo nuk do të ndikojë në punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, deklaroi Shehu.