Politike
Materialet e hetimit për Vlora Hysenin/ Rama: Nuk kemi marrë shqetësim nga partnerët
Kryeministri Edi Rama komentoi në konferencën e përbashkët me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, zhvillimet e fundit lidhur me hetimin ndaj ish-drejtoreshës së SHISH dhe masën e arrestit ndaj saj.
Rama deklaroi se këto zhvillime, sipas tij, nuk kanë ndikuar në perceptimin e partnerëve europianë për Shqipërinë. Ai tha se çështja duhet t’u lihet institucioneve të drejtësisë dhe se përfundimet duhet të dalin nga procesi hetimor dhe gjyqësor.
Sipas kryeministrit, mënyra se si disa materiale të hetimit janë bërë publike dhe janë trajtuar në opinionin publik nuk duhet të zëvendësojë procesin institucional. Ai argumentoi se, nëse gjatë hetimit do të rezultojë se janë cenuar elementë të sigurisë kombëtare apo marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, kjo duhet të përcaktohet nga institucionet përkatëse.
“Procesi do të tregojë nëse ka apo jo gjëra që kanë cenuar çfarëdoqoftë në lidhje me sigurinë kombëtare apo në lidhje me partnerët tanë”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se nuk ka marrë, sipas tij, ndonjë shqetësim të tillë nga partnerët ndërkombëtarë, duke iu referuar debatit publik të krijuar pas publikimit të materialeve të hetimit.
“Pres që prokuroria dhe gjykata të bëjnë punën e vet dhe, në fund, të dalë edhe rezultati”, deklaroi Rama.
Çështja ndaj ish-drejtoreshës së SHISH vijon të jetë nën hetim, ndërsa Rama theksoi se vlerësimi për përgjegjësitë dhe pasojat e mundshme duhet të bëhet nga organet e drejtësisë në përfundim të procesit.