Aktualitet
Sa herë do të shtohen fondet për Rrugën e Arbërit? Tani duhen paguar edhe skarpatat?
Sa herë do të shtohen fondet për Rrugën e Arbërit? Një tjetër pikëpyetje mbi paratë publike është ngritur në emisionin “Skenë Krimi” në NTV, ku Shemsi Prençi denoncoi atë që e konsideron si një problem të përsëritur në projektet rrugore: shtimin e kostove për punime që duhej të ishin parashikuar që në fillim.
Sipas Prençit, abuzimi i mundshëm me fondet publike mund të nisë që në hartimin e projektit, përmes përcaktimit të volumeve të punimeve dhe llogaritjes së kostove. Si shembull ai solli Rrugën e Arbërit, për të cilën përmendi disa vlera financiare të ndryshme ndër vite dhe pretendoi se fondet janë shtuar vazhdimisht.
Por pikëpyetja kryesore lidhet me një tjetër shtesë financiare: rikualifikimin e skarpatave!
Pse duhet të paguhet sërish për këto ndërhyrje në një rrugë që ende nuk është përfunduar dhe dorëzuar plotësisht? A ishin skarpatat pjesë e projektit fillestar apo po shtohen tani si zëra të rinj në faturën e ndërtimit?
Prençi ngriti gjithashtu shqetësimin për dëmtimet e urave dhe tombinove pas reshjeve, duke argumentuar se, nëse ato vijnë si pasojë e punimeve me cilësi të dobët apo moszbatimit të projektit, përgjegjësia duhet të shqyrtohet edhe për kompaninë ndërtuese.
Deri më tani, në diskutim nuk u paraqitën kontratat, preventivët apo ekspertiza teknike që të vërtetonin pretendimet. Megjithatë, dokumentet e projektit, shtesat kontraktore dhe situacionet e punimeve janë ato që mund të japin përgjigjen përfundimtare.