Connect with us

Kronike

“Shoku më futi qesen e zezë me armë në makinë dhe iku”/ Zbardhet dëshmia e 31-vjeçarit

Detaje të reja janë bërë publike nga dosja hetimore e operacionit policor të zhvilluar dy javë më parë në tunelin e Skërficës, në aksin Kardhiq–Delvinë, ku u sekuestruan katër pistoleta dhe u arrestua 31-vjeçari Kejdi Banaj.

Sipas materialeve hetimore, Policia kishte siguruar informacione se Banaj po transportonte armë zjarri drejt Sarandës me një automjet të marrë me qira. Hetimet përfshijnë edhe dyshime se gjatë itinerarit ai pritej të merrte një sasi lënde narkotike, rreth 500 gram kokainë, në zonën e Lushnjës.

Pas ndalimit të automjetit në tunelin e Skërficës, efektivët gjetën katër pistoleta tip “Glock”, të fshehura nën tapicerinë e sediljes së përparme, brenda një qeseje të zezë.

Sipas dosjes, gjatë marrjes në pyetje Banaj ka bashkëpunuar me hetuesit, duke dorëzuar kodin e telefonit dhe duke identifikuar një person, me inicialet E. S., si personin që, sipas tij, kishte vendosur qesen në automjet.

Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, 31-vjeçari ka deklaruar se nuk kishte dijeni për përmbajtjen e qeses dhe se kishte pranuar të udhëtonte drejt Sarandës me kërkesë të të njohurit të tij.

Sipas hetimeve, personi i identifikuar me inicialet E. S., 26 vjeç nga Tirana, është shpallur në kërkim dhe dyshohet si organizator i transportit të armëve. Ai rezulton i kërkuar edhe për një ngjarje tjetër të ngjashme të ndodhur në muajin mars.

Gjykata ka caktuar ndaj Kejdi Banajt masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Advertisement