Kronike
Parandalohet ngjarja e rëndë/ Tentoi të vriste 38-vjeçarin pas sherrit, në pranga i riu
Një konflikt në zonën e Spillesë ka përfunduar me arrestimin e një 31-vjeçari, i cili u kap nga policia me një armë zjarri tip kallashnikov dhe municion luftarak.
Sipas policisë, efektivët e Kavajës dhe Rrogozhinës ndërhynë pas marrjes së informacionit për një konflikt të dhunshëm në zonë. Gjatë ndërhyrjes, u kap në flagrancë shtetasi E. H., 31 vjeç, i cili kishte armën në dorë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 31-vjeçari ishte përfshirë në një konflikt me shtetasin I. R., 38 vjeç, dhe se kishte synuar ta qëllonte me armë. Kallashnikovi dhe municioni u sekuestruan si prova materiale.
Ndërkohë, 38-vjeçari I. R. u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”. Sipas policisë, gjatë konfliktit ai kishte goditur me grushte shtetasin N. H., duke i shkaktuar dëmtime të lehta.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, ndërsa vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe dinamikën e konfliktit.