Aktualitet
Ethet e merkatos/ Transferimi i bujshëm: Arsenali dhe Galatasaray në bisedime për Victor Osimhen
Arsenal ka nisur kontaktet me Galatasaray-n për të diskutuar një transferim të mundshëm të Victor Osimhen, në një zhvillim të bujshëm të merkatos së verës.
Sipas “The Telegraph”, kampionët e Anglisë kanë bërë një kërkesë për situatën e sulmuesit nigerian, ndërsa dy klubet po zhvillojnë bisedime më të gjera për disa lëvizje të mundshme.
Interesimi i Arsenal-it për Osimhen-in vjen në një moment kur Galatasaray po tenton të transferojë Gabriel Martinelli-n nga klubi londinez. Kampionët e Turqisë kanë paraqitur një ofertë prej rreth 45 milionë eurosh për brazilianin, i cili nuk konsiderohet më i paprekshëm nga Arsenal-i.
Kjo ka bërë që bisedimet mes dy klubeve të marrin një tjetër dimension. Arsenal-i po pyet për mundësinë e transferimit të Osimhen-it, ndërsa Galatasaray po kërkon të bindë londinezët për Martinelli-n.
Osimhen iu bashkua përfundimisht Galatasaray-t nga Napoli për 75 milionë euro dhe ka një kontratë afatgjatë me klubin turk. Sulmuesi është shndërruar në një nga figurat kryesore të skuadrës dhe largimi i tij, vetëm një vit pas transferimit përfundimtar, do të ishte një goditje e madhe për kampionët e Turqisë.
Nga ana tjetër, Arsenal-i po shqyrton ndryshime të rëndësishme në repartin ofensiv. Martinelli ka edhe një vit në kontratën e tij, me klubin që ka gjithashtu mundësinë për ta zgjatur marrëveshjen edhe për një sezon.
Për momentin nuk raportohet për një marrëveshje apo për një shkëmbim të drejtpërdrejtë mes dy lojtarëve, por kontaktet mes dy klubeve janë tashmë konkrete.