Shkrime
JOSHJE DHE SEKRETE/ AURON TARE: TIRANA SI AKADEMI SPIUNAZHI
Nga Lufta e Ftohtë te zhvillimet e ditëve të fundit në Tiranë, historiani dhe publicisti Auron Tare sjell një paralelizëm të fortë mes teknikave të spiunazhit të së kaluarës dhe asaj që ai e quan një histori të re me në qendër shërbimet sekrete.
Në një shkrim të publikuar nga “Pamfleti”, Tare ndalet te kujtimet e Markus Wolfit, ish-shefit të kundërzbulimit të STAS-it në Gjermaninë Lindore, të cilin e përshkruan si një prej profesionistëve më të njohur të spiunazhit gjatë Luftës së Ftohtë.
Sipas Tares, Wolf kishte ngritur një lloj “akademie” ku agjentët trajnoheshin jo vetëm për teknikat klasike të zbulimit, por edhe për artin e joshjes.
Tare shkruan se objektivat e kësaj metode ishin gra të pamartuara që punonin në institucione të rëndësishme dhe sensitive, ku mund të sigurohej informacion i klasifikuar.
Agjentët, sipas tij, trajnoheshin dhe më pas dërgoheshin në Gjermaninë Perëndimore për të identifikuar objektiva të përcaktuara paraprakisht.
Pikërisht këtu, Tare e lidh historinë e Luftës së Ftohtë me zhvillimet e fundit në Shqipëri.
Ai tregon se ishte duke përkthyer në shqip kujtimet e Markus Wolfit, “Njeriu pa fytyrë, Kujtimet e një zbuluesi”, por pas ngjarjeve të fundit vendosi ta ndërpresë përkohësisht projektin.
“E kujt i hyn më në punë sot akademia e Markus Wolfit?”, shkruan Tare.
Sipas tij, zhvillimet e fundit në Tiranë kanë krijuar një situatë që mund të krahasohet, në mënyrë metaforike, me një kapitull të ri të historisë së spiunazhit.
Tare e quan këtë kapitull “Akademia e Tiranës”, duke theksuar se, nëse kjo histori do të vazhdojë, ajo mund të bëhet objekt studimi për historinë e shërbimeve sekrete evropiane.
Në fund, autori rikthehet te Markus Wolf dhe thotë se libri i tij do të mbetet në raftin e bibliotekës, jo sepse nuk ia vlen të lexohet, por sepse, sipas Tares, “realiteti ynë ka vendosur t’ia kalojë edhe Markus Wolfit dhe Akademisë së tij të famshme.”
Një paralelizëm i fortë i autorit, që nga teknikat e spiunazhit të Luftës së Ftohtë kalon te debati aktual mbi shërbimet sekrete dhe zhvillimet e fundit në Tiranë.