Aktualitet
Lëvizte i armatosur në Tiranë, 31-vjeçari kapet me pistoletë pa leje
Një 31-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Tiranë, pasi dyshohet se lëvizte i armatosur me një pistoletë të mbushur me municion, të cilën e posedonte pa lejen përkatëse.
Operacioni, i koduar “Shadow”, u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas një informacioni të siguruar gjatë punës operative për një person që dyshohej se lëvizte me armë zjarri.
Ndërhyrja e policisë u krye në rrugën “Ndre Mjeda”, ku u ndalua 31-vjeçari me inicialet D. S., banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit fizik, efektivët gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, së bashku me një krehër dhe 14 fishekë. Sipas Policisë, 31-vjeçari nuk dispononte leje për mbajtjen e armës.
Pas arrestimit, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme.