Bota
DO PERDORIM ARME BERTHAMORE/ MOSKA KERCENON NATON: MOS E PREKNI KALININGRADIN
Rusia përplaset sërish me NATO-n dhe këtë herë në qendër të konfliktit diplomatik është Kaliningradi.
Moska akuzon Aleancën për përshkallëzim të aktivitetit ushtarak pranë kufijve rusë dhe paralajmëron se çdo përpjekje për izolimin e enklavës ruse mund të çojë në përballje të drejtpërdrejtë ushtarake.
Përmes ambasadës së saj në Belgjikë, Rusia i ka dërguar NATO-s një dokument informal, në të cilin kundërshton atë që e cilëson si një kurs “aventurier dhe të papërgjegjshëm” të Aleancës në lidhje me Kaliningradin.
Moska pretendon se stërvitjet e NATO-s në rajon përfshijnë skenarë që simulojnë izolimin e Kaliningradit dhe se aktivitete të tilla rrisin ndjeshëm rrezikun e një përplasjeje të drejtpërdrejtë të armatosur.
Por deklarata ruse shkon edhe më tej.
Moska thotë se, në rast të një përpjekjeje për ta shkëputur Kaliningradin nga pjesa tjetër e territorit rus, Rusia është e gatshme të përdorë “të gjithë arsenalin” që ka në dispozicion për mbrojtjen e territorit të saj. Ky formulim është interpretuar nga NATO dhe burime të tjera si një kërcënim i rëndë, përfshirë edhe retorikën bërthamore.
NATO konfirmoi se e ka marrë dokumentin rus dhe se i është përgjigjur Moskës.
Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, hodhi poshtë pretendimin se aktivitetet e Aleancës përbëjnë kërcënim për territorin rus, duke theksuar karakterin mbrojtës të NATO-s.
Aleanca dënoi gjithashtu kërcënimet për përdorimin e forcës dhe, në mënyrë të veçantë, retorikën bërthamore.
NATO deklaroi se nuk do të tërhiqet nga mbështetja për Ukrainën dhe se është e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të vendeve anëtare.