Kosova
Goditet rrjeti i prostitucionit në Kosovë, identifikohen 155 vajza nga Shqipëria
Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion të gjerë në të gjithë vendin, në kuadër të luftës kundër prostitucionit dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Aksioni, i koduar “Vjeshta 2026”, u zhvillua nga 3 deri më 17 nëntor dhe përfshiu lokale me muzikë live, qendra masazhi dhe ambiente të lidhura me aktivitetin e eskortës.
Sipas të dhënave zyrtare, kontrollet u kryen në 40 lokale me muzikë live, ku u identifikuan 285 persona, mes tyre 223 femra dhe 62 meshkuj. Nga ky total, 168 ishin shtetas të huaj dhe 155 prej tyre shtetase shqiptare. Në listën e shtetaseve të huaja u evidentuan gjithashtu nëntë gra nga Serbia, tri nga Maqedonia e Veriut dhe një nga Kolumbia.
Për shkelje administrative, inspektorët mbyllën tetë lokale.
Operacioni u shtri edhe në 62 qendra masazhi, ku u identifikuan 120 persona. Prej tyre, 94 ishin femra dhe 26 meshkuj. Në këtë kategori u evidentuan 47 shtetas të huaj, mes të cilëve 27 nga Tajlanda, 19 nga Shqipëria dhe një nga Serbia. Edhe në këtë sektor pati masa administrative, me shtatë qendra të mbyllura.
Në total, numri i bizneseve të mbyllura gjatë operacionit arriti në 15.
Policia evidentoi gjithashtu katër raste të kundërvajtjes “Marrje me prostitucion”, të lidhura me aktivitetin e eskortës. Në këto raste u arrestuan tetë persona: katër meshkuj, tre nga Kosova dhe një nga Shqipëria, si dhe katër femra, një shtetase braziliane dhe tri kolumbiane.
Për personat e përfshirë u ndërmorën procedurat përkatëse ligjore, ndërsa ndaj shtetaseve të huaja u vendosën masa dëbimi dhe ndalim hyrjeje në Kosovë, për periudha nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Gjatë kontrolleve, autoritetet u dhanë mundësi grave të identifikuara të deklaronin nëse ishin viktima të shfrytëzimit apo trafikimit të qenieve njerëzore. Megjithatë, Policia e Kosovës bëri të ditur se gjatë operacionit nuk u identifikua asnjë rast i trafikimit të qenieve njerëzore.