Bota
IRANI GODET ME RAKETA BAZAT E DRONE AMERIKANE
Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë në një fazë të re përshkallëzimi, pasi presidenti amerikan Donald Trump miratoi sulme ndaj objektivave iraniane, pas informacioneve se një helikopter amerikan Apache ishte rrëzuar nga një dron iranian në Ngushticën e Hormuzit.
Komanda Qendrore e Forcave të Armatosura të SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se forcat amerikane nisën “sulme vetëmbrojtëse” kundër Iranit rreth mesnatës së së martës, me urdhër të presidentit Trump. Sipas deklaratës, operacioni është një “përgjigje proporcionale ndaj agresionit të pajustifikuar iranian”.
Burime mediatike raportojnë se objektiv i goditjeve amerikane ishte ishulli Keshm në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa shpërthime janë raportuar edhe në Bahrein.
Pak orë para nisjes së operacionit, Trump kishte minimizuar incidentin me helikopterin Apache, duke deklaruar për Wall Street Journal se “nuk ishte ndonjë gjë e madhe” dhe se pilotët kishin shpëtuar pa lëndime. Megjithatë, pas publikimit të informacioneve se mjeti ishte goditur nga një dron iranian Shahed, presidenti amerikan ndryshoi tonin.
“SHBA duhet të përgjigjet ndaj këtij sulmi”, shkroi Trump në platformën Truth Social, duke theksuar se kundërpërgjigjja do të ishte “shumë e fortë”.
Sipas New York Times dhe Axios, helikopteri Apache u godit nga një dron iranian gjatë një patrullimi në Ngushticën e Hormuzit. Të dy pilotët u shpëtuan më vonë pranë brigjeve të Omanit nga forcat amerikane.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi u bëri thirrje forcave të huaja të largohen nga zonat pranë territorit iranian, duke deklaruar se prania e tyre rrit rrezikun e përshkallëzimit. “Ne preferojmë gjuhën e diplomacisë, por flasim edhe gjuhë të tjera”, shkroi ai në rrjetin social X.
Zhvillimet e fundit shtojnë pasigurinë rreth armëpushimit të shpallur më 8 prill në konfliktin e Gjirit. Vetëm pak ditë më parë, Trump kishte deklaruar se diplomacia amerikane ishte pranë arritjes së një marrëveshjeje për ndalimin e luftimeve.
Përshkallëzimi aktual konsiderohet si një nga momentet më të rrezikshme në rajon muajt e fundit, me rrezikun e zgjerimit të konfliktit përtej Ngushticës së Hormuzit dhe përfshirjes së aktorëve të tjerë rajonalë.
Irani ka nisur raketa dhe dronë drejt objektivave amerikane në rajon, njoftoi Garda Revolucionare Islamike (IRGC) në orët e para të së mërkurës, në një përshkallëzim të ri të tensioneve me Shtetet e Bashkuara.
Zhvillimi vjen pasi Uashingtoni kreu sulme hakmarrëse kundër objektivave iraniane për rrëzimin e një helikopteri ushtarak Apache.
Ndërkohë, shpërthime janë dëgjuar në qytetin bregdetar Sirik, në Bandar Abbas dhe në ishullin Keshm, pranë Ngushticës së Hormuzit. Mediat iraniane raportuan për disa shpërthime në zonë, ndërsa autoritetet lokale thanë se po verifikojnë natyrën e incidenteve.
Sipas CNN, sulmet e para amerikane kishin në shënjestër sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore dhe radarët pranë Ngushticës së Hormuzit. Operacioni nisi gjatë natës sipas kohës lokale iraniane.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani nuk do të lërë pa përgjigje asnjë sulm amerikan.
“Pavarësisht humbjeve në fushën e betejës, SHBA vendosi të testojë vendosmërinë tonë. Forcat tona të armatosura nuk do të lënë pa përgjigje asnjë sulm apo kërcënim”, shkroi ai në platformën X.
“Largohuni nga rajoni ynë nëse doni të jeni të sigurt”, paralajmëroi ai.
Përplasja vjen pas sulmeve amerikane të kryera si kundërpërgjigje ndaj rrëzimit të një helikopteri Apache nga forcat iraniane në Ngushticën e Hormuzit, incident që ka rritur frikën për një konflikt më të gjerë në rajon.