Shkrime
TRE SUPERFUQI, NJE SAMIT DHE NJE ALBUM/ KANCELARI MERZ NGRIN BUZEQESHJEN E TRUMP-PUTIN-XIJINPING
Kancelari gjerman Friedrich Merz nuk e fshehu aspak skepticizmin për samitin e zhvilluar në Shenzhen të Kinës mes Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping. Ndërsa tre liderët e fuqive më të mëdha botërore u shfaqën në të njëjtën tryezë, Merz duket se nuk pa ndonjë marrëveshje historike, por më shumë një mundësi për të prodhuar fotografi që bëjnë xhiron e botës.
Gjatë një konference për shtyp në Berlin, në kuadër të takimit të Koalicionit të të Vullnetshmëve, kancelari gjerman e përmblodhi me një ironi të hollë atë që, sipas tij, ishte thelbi i takimit: “Me sa duket, ishte para së gjithash një mundësi për të bërë fotografi”.
Me pak fjalë, shumë kamera, shumë buzëqeshje dhe pak arsye për të besuar se nga Shenzheni do të dilte ndonjë zgjidhje konkrete për konfliktet që shqetësojnë botën.
Por Merz nuk u mjaftua me thumbimin për fotografitë. Ai kundërshtoi edhe përpjekjet për ta krahasuar këtë takim me Konferencën e Jaltës të vitit 1945, kur Roosevelt, Churchill dhe Stalini vendosën mbi rendin e ri të Europës pas Luftës së Dytë Botërore.
Për kancelarin gjerman, nostalgjia për diplomacinë e tre fuqive që negociojnë fatet e të tjerëve nuk është aspak një recetë për paqe. “Një format i Jaltës nuk do të sjellë paqe në Evropë”, paralajmëroi ai.
Dhe këtu ironia e historisë bëhet edhe më e fortë. Jalta nuk ishte thjesht një fotografi e tre liderëve përballë kamerave. Ajo u bë simbol i një rendi të ri europian, ku kufijtë e ndikimit dhe fatet e popujve u përcaktuan nga fuqitë fituese. Pas saj erdhën ndarjet, blloqet rivale dhe Muri i Berlinit, që për dekada simbolizoi ndarjen e kontinentit.
Merz rikujtoi pikërisht këtë trashëgimi historike, duke paralajmëruar se marrëveshjet mes fuqive të mëdha, nëse bëhen pa zërin e vendeve që preken prej tyre, mund të prodhojnë më shumë pasiguri sesa stabilitet.
Në fakt, shqetësimi i Berlinit është më i madh se sa një koment për një samit fotografik. Europa druhet se Trump, Putin dhe Xi mund të krijojnë një format diplomatik ku vendimet për sigurinë e kontinentit diskutohen pa europianët në tryezë. Një lloj Jalte e re, por me protagonistë të tjerë dhe me Ukrainën e Europën në rrezik për t’u kthyer në objekt negociatash.
Kështu, ndërsa tre liderët mund të kenë marrë me vete fotografi nga Shenzheni, Merz kërkon të kujtojë se paqja nuk ndërtohet me poza para kamerave dhe as duke përsëritur skenarët e vitit 1945.
Sepse, siç duket, në këtë samit nuk munguan fotografët. Pyetja është nëse mungoi edhe paqja.