Bota
Kërkohet rihapja “pa kushte” e Hormuzit, pas takimit të udhëhequr nga Britania
Mbretëria e Bashkuar ka udhëhequr një takim online ku morën përfaqësuesit e mbi 40 shteteve që diskutuan për krizën e Ngushticës së Hormuzit dhe pas takimit u kërkua “rihapja e menjëhershme dhe pa kushte” e kësaj rruge kyç të tregtisë botërore. Por, takimi nuk prodhoi ndonjë përparim konkret në këtë çështje.
“Irani po tenton ta mbajë peng ekonominë botërore në Ngushticën e Hormuzit. Ata nuk duhet t’ia arrijnë qëllimit. Për këtë arsye, partnerët sot bënë thirrje për rihapjen e menjëhershme dhe pa kushte të ngushticës dhe respektimin e parimeve themelore të lirisë së lundrimit dhe të ligjit për detin”, tha sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper në një deklaratë.
Ngushtica e Hormuzit është mbyllur pothuajse plotësisht që nga fillimi i luftës të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit, që nisi më 28 shkurt, duke ndikuar në furnizimet botërore të mallrave, përfshirë naftën, gazin e lëngshëm natyror dhe plehrat kimike.